Please enter at least 3 characters.

Nuk po ambientohet me futbollin spanjoll, gjiganti anglez tenton transferimin e Alexander-Arnold

Manchester City po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth të ardhmes së Trent Alexander-Arnold te Real Madridi, teksa pasiguria mbi rolin e tij në “Santiago Bernabeu” po rritet, raporton TEAMtalk.

Mbrojtësi i djathtë 27-vjeçar ka nisur vetëm pesë ndeshje në La Liga që nga transferimi i bujshëm veror nga Liverpooli, duke mos arritur ende ndikimin e menjëhershëm që pritej pas nënshkrimit të kontratës pesëvjeçare deri në vitin 2029.

Pakënaqësia prapa skenave ka shtyrë ndërmjetësit të hapin bisedime eksploruese me Manchester Cityn, i cili po vlerëson aktivisht opsionet për krahun e djathtë të mbrojtjes përpara një merkatoje verore intensive.

Edhe pse ende nuk ka pasur një ofertë zyrtare, City e sheh Alexander-Arnold si një përforcim potencialisht transformues për repartin defensivë.

Kontrata afatgjatë me Real Madridin do të kërkonte një tarifë të konsiderueshme transferimi dhe një paketë të lartë page, por “Cityzens” mbeten ndër klubet e pakta që kanë kapacitetin financiar për të përmbushur këto kushte.

Gjatë periudhës së tij te Liverpooli, Alexander-Arnold regjistroi 23 gola dhe 92 asistime në 354 paraqitje, duke fituar tetë trofe madhorë.

Ambicia e Cityt është konfirmuar edhe nga drejtori i ri sportiv, Hugo Viana, i cili ka vepruar me vendosmëri në afatin e janarit me afrimet e Marc Guehi dhe Antoine Semenyo, duke sinjalizuar lëvizje të guximshme në verë./Telegrafi/