Please enter at least 3 characters.

​“Nuk morën pagat”, nesër në grevë punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë

Punëtorët teknikë të shkollave në Komunën e Prishtinës kanë protestuar sot për shkak të mos pagesës së pagave për muajin prill, ndërsa kanë paralajmëruar hyrjen në grevë nga dita e nesërme.

Sipas njoftimit të Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), shumica e punëtorëve teknikë të shkollave që menaxhohen nga kompani private kanë mbajtur protestë sot, më 18 maj 2026, nga ora 11:00 deri në 12:00.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se punëtorët do të hyjnë në grevë duke filluar nga mëngjesi i 19 majit, deri në realizimin e kërkesave të tyre për pagesat e vonuara.

“Punëtorët do të hyjnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre lidhur me pagesat e vonuara”, thuhet në njoftim.

Në reagim po ashtu theksohet se në shkollën SHFMU “Asim Vokshi”, drejtoria nuk i ka lejuar punëtorët të prononcohen para mediave gjatë kohës së protestës, transmeton KosovaPress.

FSPTSPK ka kërkuar zgjidhje urgjente të çështjes së pagave për punëtorët teknikë të angazhuar në shkollat e kryeqytetit.