“Nuk mbaj mend asgjë”, viktima e abuzimit të Jeffrey Epstein rrëfen detajet
Një grua që pretendon se u helmua dhe u përdhunua nga Jeffrey Epstein ka folur për herë të parë publikisht për BBC Newsnight rreth përvojës së saj traumatike.
Gruaja, e cila kërkoi të mbetej anonime dhe që BBC-ja do ta quajë 'Nicky', tha se takoi Epstein-in kur ishte 19 vjeçe dhe punonte si modele.
Ajo tregoi se pasi i dha një masazh në vilën e tij buzë ujit në Palm Beach, Florida, ai i dha një gotë ujë dhe ajo humbi ndjenjat për disa orë, duke besuar se gjatë kësaj kohe u përdhunua nga Epstein.
'Nicky' tha se u ndje e inkurajuar të fliste nga historia e të mbijetuarve të tjerë dhe tani po kërkon nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së të publikojë të gjitha dokumentet e mbetura mbi Epstein-in.
Në një intervistë të gjatë me BBC Newsnight, Nicky përshkroi detajisht abuzimet e Epstein-it.
Siç kanë rrëfyer edhe viktimat e tjera, kontakti i saj me Epstein-in filloi me një masazh.
“Unë mendova thjesht, ok, ndoshta është një burrë i pasur me një fetish dhe ç’ka të bëhet”, tha ajo. “Çfarëdo. Më paguante qiranë".
Por disa javë më vonë, kur Nicky u kthye te Epstein-i, përvoja ishte ndryshe.
“Mora pak ujë dhe nuk kam kujtesë për asgjë për të paktën 12 orë pas kësaj", tha Nicky.
U zgjua duke u ndjerë e sëmurë, e lodhur dhe e rënduar. Kur shkoi përsëri në tualet, pa shenja që kishte pasur marrëdhënie seksuale, megjithëse nuk mund të kujtonte ndonjë akt.
“Kam bërë terapi të ndryshme psikologjike për të përkujtuar, për të pasur një pamje të diçkaje, dhe është e errët, nuk kam asnjë ide”, tha ajo.
Pas abuzimit, Nicky kujtoi mendime se fëmijët e saj do të ishin më mirë pa të.“Nuk e di si ia dola", tha tutje për të mbijetuar përvojën traumatike. /Telegrafi/


