Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi një grua në Deçan
28/01/2026
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit M.N.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të gjykatës, paraburgimi është caktuar edhe për shkak të ekzistimit të kushteve ligjore për shqiptimin e kësaj mase, me qëllim të sigurimit të mbarëvajtjes së procedurës penale.
M.N u arrestua të hënën në Deçan, dhe paraburgimi do ti llogaritet nga data e arrestimit deri më 25 shkurt 2026, në ora 16:00. /Telegrafi/


