Një moment historik për futbollin ka ndodhur në ndeshjen e Kupës së Botës për femra – gjyqtarja u dëgjua në stadium kur dha vendimin
Kupa e Botës në futbollin e femrave është duke u zhvilluar në Zelandë të Re dhe Australi dhe që në takimin e parë ndodhi një moment historik për futbollin.
Kjo ndodhi në ndeshjen mes Zelandës së Re dhe Norvegjisë, të cilën e fituan vendaset me rezultat 1-0.
Para fillimit të garës, FIFA ka lëshuar një udhëzim që gjyqtarët mund të flasin publikisht për vendimin e tyre përfundimtar pas shqyrtimit të VAR-it.
Gjyqtarja japoneze Yoshimi Yamashita ishte e para në histori që përfitoi nga mundësia e ofruar nga FIFA.
Tre minuta para përfundimit të lojës, japonezja u thirr nga VAR për të rishikuar situatën në zonën e rreptësisë së Norvegjisë.
Pasi pa situatën, Yamashita tregoi pikën e bardhë dhe shpjegoi vendimin e saj në mikrofon që ta dëgjonte i gjithë stadiumi.
"Pas rishikimit, vendimi është penallti, ka thënë ajo mes brohoritjeve të turmës dhe stolit të Zelandës së Re.
Qëllimi i kësaj risie të FIFA-s është të rrisë transparencën e përdorimit të VAR në mënyrë që tifozët të jenë të vetëdijshëm për vendimet e gjyqtarëve.
“Sportet e tjera tashmë e kanë provuar këtë metodë. NFL e ka përdorur atë për një kohë të gjatë. Të gjithë duket se janë të kënaqur me këtë gjë”, ka thënë tha presidenti i Komisionit të Gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina në shkurt. /Telegrafi/


