Please enter at least 3 characters.

Një mësim i ri apo i vjetër i zgjedhjeve?

Të dielën e shkuar, populli pati ditën e qeverisjes së tij. Megjithëse nuk jam dakord, demokracia funksionon kështu. Të gjitha priteshin, por një fitore kaq e ngushtë askush nuk e mendonte. Në fakt, nuk ishte tjetër vetëm se një mësim i vjetër, atë që shqiptarët e kanë dëshmuar këto 20 vitet e fundit, por që e harrojnë shpesh. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj here, sistemi nxori në pah çdo votë, duke i dhënë vendin e merituar secilës parti.

Partitë e "arnuara", të tilla si ajo e Gjinushit, Cekës, Milos, etj, sistemi i ri i “goditi për vdekje”. Ato më, s’kanë asnjë mundësi shpëtimi. Zgjedhjet e fundit, goditën edhe të ashtuquajturin polin e katërt politik, me LZHK-në dhe PDK-në, që me gjithë angazhimet e senatorëve katolikë italianë dhe ndihmën e disa mediave, nuk arritën të kalonin asnjë prag.

Zgjedhjet “dënuan” si kurrë më parë, edhe të rinjtë e Erion Veliajt, i cili me sa duket nuk mori dot as votat e të rinjve të rekrutuar, gjoja për t’iu dhënë në dorë fatet e vendit. Situata mbeti po e njëjtë. Zgjedhjet shënuan standarde, por ishin vijimësi e historisë sonë paradoksale. Ç’na mësoi sistemi i ri? Ç’të rejash solli? A u shënuan vërtetët standarde? Po! Deri diku po! Kështu thanë perëndimorët, edhe ata kontradiktorë, e mbase në shenjë ironie ndaj një Shqipërie si kjo e jona, ku politizimi është i skajshëm.

E si çdo herë, ndodhi ajo që pritet. “Dasma” e zgjedhjeve shkoi mirë, por më vonë, “nusja” na doli jo e ndershme, e për pasojë “dhëndëri” u dëshpërua shumë që nuk mori atë që kishte menduar. I gjithë gëzimi dhe ahengu shkoi dëm, pasi tortës në fund nuk iu vendos qershi, por një kajsi e hidhur, që e helmoi më tej gjithë pjesën e shkuar. Megjithatë, të qenit nihilist nuk mund të jetë standard i mirëfilltë për të sqaruar këtë rrethanë historike me të cilën u përballën shqiptarët të dielën e shkuar.

Ajo e diel, që na solli shumë dilema, mbase qe një proces i përsëritur, njëjtë me 3 korrikun 2005, e disa soj paraardhës. Megjithatë, ishte e diela kur partitë si kurrë më parë, u votuan vërtetësish, duke i kaluar përtej bulevardit politik të gjitha partitë, që deri më sot kishin jetuar si parazitë mbi parti të tjera. Xhuveli i plakur në qeveri, tashmë duhet t’i thotë lamtumirë Parlamentit, e në këtë ikje verdikti popullor do të jetë i shoqëruar edhe me homologë të tjerë. E pra, sistemi i ri elektoral, i dizenjuar mirë nga Sali Berisha, i cili luajti lojën e shahut politik si rrallë ndonjëherë, solli përjashtimin e partive të vogla, por gjithashtu i dha edhe një mundësi për të qeverisur sërish.

Befas në këmbë, u ngritën të tjerë, për të akuzuar sistemin si të padrejtë. Mbase disa patën të drejtë, por partitë të vjetra, vagonë trenash, që duhen ndërtuar nga e para, nuk mund të ecin më në garën moderne të fitores së pushtetit. Në demokraci, armiqtë politikë shmangen duke i mënjanuar nga skena. Këtë gjë bëri Edi Rama, këtë stinë, i cili urrejtjen më të madhe duket se e kishte ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim.

E në fakt mirë bëri, sepse mbeturina, parti pa zyra dhe pa sigla, ishin shaka qesharake që bëheshin në këtë vend, aq më tepër kur kishin edhe poste ministrish. Kjo ishte e reja më e arrirë që solli sistemi i ri, megjithatë nuk erdhi bashkë me të gjitha standardet e kërkuara nga perëndimorët, meqë varemi kaq shumë prej tyre, e na rrinë pranë, duke na tërhequr veshin për çdo gabim të bërë. Duhet thënë se eksperimenti i zgjedhjeve ishte i suksesshëm, sepse për të parën herë, dita e votimeve shkoi pa incidente. Mbase ishin të gjithë të habitur ose të gëzuar atë ditë, kur të gjithë prisnin fitoren.

Kjo nuk ndodhi, e madje më i zhgënjyer duhet të ketë qenë Edi Rama që ka bredhur katund më katund për të shpalosur programin e ri qeverisës dhe Shqipërinë e “re” që do të krijonte me njerëz të rinj, ironikisht në përbërje të tyre ishte edhe Gramoz Ruçi, i cili ka vegjetuar në Partinë Socialiste. Numri i deputetëve, nuk doli ashtu sikurse ishte parashikuar. Sondazhet dhe EXIT Pollet, që pas së hënës mbetën kujtime jo të kënaqshme. Situata shkoi drejt agravimit, kur lufta po nxehej pak e nga pak, meqë fitorja nuk ishte për askënd e dukshme. Sistemi i ri, e bëri deputetin më të vlefshëm se kurrë për një parti. Ai tashmë, edhe pse një i vetëm, do të ketë në dorë fatin e qeverisë së ardhshme.

Duket se “vula” i përket partisë së Ilir Metës, e cila mund të shkojë djathtas por majtas nuk do të ketë edhe aq rol. Bashkimi i tij me Partinë Socialiste do të sillte 70 deputetë, e po kaq të tillë ndodhen edhe në kampin tjetër. Nuk dihet ende kush do ta ketë në dorë këtë histori? Apo se cilit do të jetë fundi i saj? Le të presim... Rezultati i zgjedhje nuk ishte aq surprizë saqë mund të mendojnë disa.

Gjatë zgjedhjeve të kaluara, bëheshin transferime votash nga partitë e mëdha drejt atyre të vogla, çka nuk mund të tregonte përkrahjen reale të një partie në popull. Ndërsa në zgjedhjet e tanishme thirrja ishte e qartë nga dy partitë e mëdha: çdo votë për një parti tjetër ishte e humbur. Elektorati vendosi ashtu sikurse e kishte zakon, ashtu sikurse kishte votuar edhe herët e tjera. Një tregim, jo fort i thjeshtë i këtyre zgjedhjeve, ishte edhe mentaliteti shqiptar. Militantizmi mbeti një histori e pa rrënuar në këtë vend, për pos pjesës tjetër që as ditën e vetme të qeverisë së tij, nuk u turbulluan.

Berisha erdhi në zgjedhje me premtime të mbajtura. Por rruga Durrës-Kukës, një vepër e madhe ishte gëzim për të gjithë shqiptarët, por jo votë për Partinë Demokratike. Politika e re e Edi Ramës, ishte përpjekje deri diku për të lënë pas historinë, por as kjo nuk pati asnjë efekt. Me sa duket, populli shqiptar është njësoj si ai pacienti i sëmurë që përdor herë pas here një ilaç, e më pas nuk i bën më efekt. Këtë e tregoi edhe me votën e tij këtë fillim vere.

Ai (populli) votoi djathtas dhe majtas. Votoi ashtu sikurse kishte votuar herë të tjera. Kjo do të thotë se shqiptarët votuan me militantizëm, dhe shpesh herë edhe urrejtja ndaj një figure politike. Një film përngjasimi u duk edhe tre ditë më parë, kur militantë të shumë në Fier, bënë bllokadë ndaj makinës së transportimit të kutive. Konfrontimi shkoi gjer atje, saqë nisi edhe sulmi ndaj aktores së nderuar tashmë deputete Rajmonda Bulku, që mbi të gjitha ishte grua.

Kjo tregoi se shqiptarët mund të jenë integruar ekonomikisht dhe me ligje, por në mentalitet mbeten të tillë. Turma u mbështet fort edhe nga deputetë të “rinj” socialist, çka u bënë edhe një herë qesharak në sytë e ndërkombëtarëve. U deshën sërish ata (diplomatët perëndimor) të ndërhynin për të qetësuar situatën. Duket se politika jonë ka fituar kaq shumë imunitet, saqë edhe kur ofendohet edhe kritikohet ashpër, nuk i skuqet më “fytyra”. Kjo është historia e demokracisë shqiptare, e kompromentuar në të shumtën e rasteve. Për standardet le të flasin ndërkombëtarët! Ata na vënë notat ne! Ata na vënë notat ne. Me notën 10 se meritojmë të vlerësohemi. Se çfarë note do të marrim kësaj here, e dinë vetëm ata. Zgjedhjet ishin sukses apo........