"Një armë dhe gjashtë fishekë" - çfarë bënë liderët e NATO-s me dhuratat e Erdoganit?
Liderët e shteteve anëtare të NATO-s u habitën kur zbuluan se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u kishte ofruar secilit prej tyre nga një armë si dhuratë pas samitit në Ankara.
Secili udhëheqës mori një kuti druri që përmbante një armë të vjetër me emrin e tyre të gdhendur dhe 6 plumba.
Imazhet e shpërndara tregonin atë që dukej të ishte Gumusay .357 Magnum, një armë e rrallë me gjashtë fishekë e prodhuar nga prodhuesi turk i armëve MKE në vitet 1990.
Ishte vendosur në një kuti prej druri, të veshur me të zezë, me flamurin e Turqisë dhe logon e NATO-s, si dhe një pankartë me mbishkrimin "Gumusay, pistoleta e parë e tipit revolver e prodhuar në vendin tonë" në turqisht dhe anglisht.
Krahas armës kishte gjashtë fishekë të mbushur dhe një shënim që i përjashtonte armët nga kontrollet e eksportit.
Por çfarë bën një udhëheqës botëror me një armë dhe gjashtë plumba?
Kjo ishte enigma me të cilën u përballën udhëheqësit e NATO-s pasi morën dhuratën e pazakontë.
Disa revolverë, përfshirë ato që i përkisnin kryeministrit britanik Keir Starmer, kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrit holandez Rob Jetten, kanë mbetur për momentin në kryeqytetin turk.
Në varësi të ligjeve në fuqi, transportimi i armëve të zjarrit nuk është aspak i thjeshtë, veçanërisht kur ato janë plotësisht funksionale.
Çfarë thanë udhëheqësit për armët?
Kryeministri britanik Keir Starmer ishte i pari që e përmendi këtë.
Gjatë fluturimit të kthimit nga Ankaraja - ku udhëheqësit e NATO-s ishin mbledhur për dy ditë - Starmer tha se ai dhe të tjerët morën një revolver me emrat e tyre të gdhendur.
Zëdhënësi i kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez tha se të gjithë udhëheqësve u ishte dhënë i njëjti model, me emrat e tyre të gdhendur.
Presidenti sllovak Peter Pellegrini u tregoi gazetarëve dhuratën e dhënë gjatë udhëtimit me aeroplan për në shtëpi.
Kryeministri belg, Bart De Wever, ia dorëzoi të tijën policisë së aeroportit të Brukselit për ta siguruar në një kasafortë.
Një ndihmës i presidentit polak Karol Nawrocki tha se revolveri i tij po priste zhdoganimin në Aeroportin e Varshavës dhe do të mbahej në një vend të përshtatshëm "në mënyrë që të ishte së pari i sigurt dhe së dyti i respektuar si dhuratë".
Zyrat e kryeministrave holandezë dhe suedezë thanë se revolverët e tyre ishin dërguar në ambasadat përkatëse në Ankara.
Revolveri holandez duhej të çaktivizohej, ndërsa ai suedez priste dokumentet e importit.
Revolveri i kryeministres italiane Giorgia Meloni po ruhet tashmë në selinë e qeverisë, Palazzo Chigi, së bashku me dhurata të tjera shtetërore.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ka ndërmend t’ia dhuronte të sajën një muzeu ushtarak, ndërsa udhëheqësi i Greqisë planifikon t’ia dhurojë të tijën Muzeut të Luftës në Athinë.
Kryeministri kanadez Mark Carney tha se në fakt nuk e kishte parë pistoletën, por ajo mund të përfundonte në muzeun kombëtar të luftës.
Carney e mori revolen me vete, por i la municionet në Turqi.
Ndërsa është shumë e zakonshme që krerët e shteteve të shkëmbejnë dhurata të ndryshme gjatë takimeve ose samiteve, shkëmbime të tilla rrallë kërkojnë masa paraprake.
Industria moderne e armëve të dorës në Turqi përqendrohet kryesisht në armët gjysmëautomatike, duke e bërë Gumusayn një kuriozitet për koleksionistët.
Sipas Sondazhit të Armëve të Vogla me seli në Gjenevë, Turqia ishte eksportuesi i tretë më i madh në botë i armëve të vogla midis viteve 2019 dhe 2024, me eksporte që arrinin në total rreth 3 miliardë dollarë gjatë kësaj periudhe, pas SHBA-së dhe Italisë. /Telegrafi/


