Një 48-vjeçar gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Vërboc të Kllokotit
Një 48-vjeçar është gjetur pa shenja jete të mërkurën në shtëpinë e tij në fshatin Vërboc të komunës së Kllokotit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili tha se personi kishte jetuar i vetëm dhe kishte probleme shëndetësore.
“Njesitë policore, së bashku me ekipin mjekësor, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se personi, mashkull kosovar i lindur në vitin 1977, ishte pa shenja jete,” ka deklaruar Osmani.
Ai shtoi se, sipas hetimeve të para të kryera nga hetuesit policorë në praninë e mjekësisë ligjore, nuk janë vërejtur shenja dhune apo lëndime në trupin e të ndjerit.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes.
Hetuesit nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, po vazhdojnë procedurat hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit./Telegrafi/


