Nintendo Switch 2 është shitur gati 6 milionë kopje
Prodhuesi japonez i video-lojërave, Nintendo, ka shitur 5.82 milionë konzola Switch 2 që nga 5 qershori, sipas një deklarate të kompanisë.
Po ashtu, thuhet se të ardhurat e Nintendos për tremujorin e parë fiskal, nga prilli deri në qershor, janë rritur me 132 për qind në bazë vjetore, duke arritur në total 572.3 miliardë jenë (rreth 3.33 miliardë euro).
Fitimi i kompanisë në të njëjtën periudhë është rritur me 18 për qind në bazë vjetore, duke arritur në 96.03 miliardë jenë (rreth 559 milionë euro), raporton Kyodo.
Në të njëjtën periudhë, fitimi operativ ka arritur në 56.9 miliardë jenë, pak mbi pritjet e analistëve. Të ardhurat nga segmenti i platformave të lojërave, që përfshin shitjen e harduerit dhe softuerit, janë rritur me 142.5 për qind dhe kanë arritur në 555.5 miliardë jenë, pjesërisht për shkak të çmimit më të lartë të Switch 2 krahasuar me gjeneratën e mëparshme të këtij pajisjeje.
Në anën tjetër, biznesi i bazuar në pronësinë intelektuale, duke përfshirë filma dhe argëtim të frymëzuar nga lojërat origjinale të Nintendo-s, ka shënuar një rënie prej 4.4 për qind, kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave nga filmi “Super Mario Bros”.
Qëllimi vjetor për shitjen e konzolave Switch 2 mbetet 15 milionë njësi, megjithëse analistët e konsiderojnë këtë parashikim tepër konservator, raporton CNBC.
Aksionet e Nintendos janë rritur rreth 40 për qind që nga fillimi i vitit, nxitje kjo nga entuziazmi i tregut për konzolën e re. /Telegrafi/


