Ngritët flamuri amerikan në Prishtinë
Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka thënë se këtë veprim e kanë bërë në shenjë respekti ndaj SHBA-së.
“Ky është një veprim konkret i respektimit të miqësisë dhe respektimit të vlerave të tjera, respektim i një veprimi më të lartë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj neve. Personalitetet më të fuqishme amerikane, prej Willson e deri tek presidenti i fundit Obama. Me këtë veprim duam të tregojmë se ne dimë t’i respektojmë të tjerët jo vetëm atëherë kur jemi në zor, mirëpo edhe atëherë kur ata festojnë”, ka thënë ai.
Flamuri i cili u vendos nga Garda e Forcave të Sigurisë së Kosovës, është sjellë nga profesor Arbënor Pajaziti nga Miçigani.
Ndërsa, aktivitete të ndryshme do të zhvillohen gjatë ditës së sotme.
Gjatë mbrëmjes, në Komunën e Junikut do të zhvillohet një koncert madhështor nën patronatin e kryetarit të kësaj komune, e që është e përkrahur edhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. /KP/


