Please enter at least 3 characters.

Ngjarja në Pagarushë të Malishevës, ndalohet për 48 orë i dyshuari

Prokuroria Themelore në Gjakovë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se është arrestuar një person me inicialet S.M., lidhur me ngjarjen e ndodhur të enjten në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe mbledhjen e provave relevante për zbardhjen e plotë të rastit.