Nga udhëtimet me anije te finalja plot kaos: Historia e pabesueshme e Kupës së parë të Botës
Ky Botëror do të hyjë në histori si edicioni më i madh i organizuar ndonjëherë, me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe 104 ndeshje që do të zhvillohen për herë të parë.
Por para se të nisë spektakli Kampionatit Botëror, le të kthehemi 96 vjet pas në kohë dhe të kujtojmë Kupën e Botës së parë në histori, atë të vitit 1930 në Uruguai, një turne plot ngjarje dhe histori që sot duken të pabesueshme.
Botërori i vitit 1930 ishte krejt ndryshe nga ai që njohim sot. Gjyqtarët zbrisnin në fushë të veshur me kostume elegante, lojtarët e Bolivisë luanin me bereta në kokë, ndërsa kombëtarja e Rumanisë ishte përzgjedhur me ndihmën e mbretit të vendit.
Turneu u zhvillua në Uruguai dhe ekipet evropiane udhëtuan për javë të tëra me anije për të mbërritur në destinacion. Futbollistët stërviteshin në kuvertë gjatë udhëtimit, ndërsa presidenti i FIFA-s, Jules Rimet, e transportonte trofeun në valixhen e tij personale.
Fillimisht ishte planifikuar pjesëmarrja e 14 kombëtareve, por Egjipti humbi anijen dhe nuk arriti të mbërrinte në kohë, duke bërë që turneu të zhvillohej me vetëm 13 skuadra.
Argjentina u bë qendra e disa prej incidenteve më të pazakonta të turneut. Pas ndeshjes me Kilin, policia u detyrua të ndërhynte për të qetësuar situatën.
Në gjysmëfinalen kundër Shteteve të Bashkuara, një ndërhyrje e ashpër i theu këmbën një lojtari amerikan, gjë që shkaktoi tensione dhe përleshje në fushë.
Në një tjetër incident, një lojtar argjentinas i theu katër dhëmbë kundërshtarit të tij. Mes gjithë kaosit, gjyqtari aksidentalisht theu një shishe me kloroform, humbi ndjenjat dhe u largua nga stadiumi me barelë.
Finalja e madhe u luajt mes Uruguait dhe Argjentinës. Rreth 15 mijë tifozë argjentinas u vonuan për shkak të mjegullës së dendur gjatë udhëtimit dhe mbërritën një ditë pasi ishte zhvilluar ndeshja. Në atë kohë, Argjentina kishte humbur dhe zhgënjimi i tifozëve shkaktoi trazira.
Një nga heronjtë e Uruguait në atë finale ishte Hector Castro, autor i njërit prej golave, i cili luante vetëm me një krah.
Historia më e pabesueshme erdhi pas përfundimit të turneut. Futbollisti rumun Alfred Fieraru u sëmur gjatë kthimit në Evropë dhe u shtrua në spital në Itali.
Në Rumani u përhap gabimisht lajmi se ai kishte ndërruar jetë dhe familja organizoi funeralin. Por në ditën e ceremonisë, Fieraru u kthye shëndoshë e mirë në shtëpi, duke habitur të afërmit dhe gjithë qytetin.
Sikur kjo të mos mjaftonte, më vonë ai përfaqësoi Rumaninë jo vetëm në futboll, por edhe në patinazh artistik dhe në bob-sleigh në Lojërat Olimpike.
Kështu nisi historia e Kupës së Botës. Nga një turne me 13 skuadra, udhëtime me anije dhe ngjarje të pabesueshme, në spektaklin më të madh sportiv në planet që sot bashkon miliarda tifozë anembanë globit. /Telegrafi/


