Nga dhimbja e shpinës te hernia diskale - fizioterapisti Blend Bytyqi tregon kur duhet të kërkojmë ndihmë profesionale
Në episodin e 75-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e përkrahur nga United Hospital, fizioterapisti Blend Bytyqi foli për dhimbjet më të shpeshta që njerëzit i përjetojnë në përditshmëri – nga dhimbjet e shpinës dhe qafës, te kokëdhimbjet, shiatiku, hernia diskale, problemet nga palestra dhe trajtimet fizioterapeutike.
Bytyqi theksoi se dhimbja nuk duhet parë gjithmonë si diçka negative, por si një sinjal që trupi po jep për një problem që duhet kuptuar drejt.
“Dhimbja është një alarm i trupit që duhet me u interpretu prej profesionistit shëndetësor se çka po ndodh”, tha ai, duke shtuar se në shumicën e rasteve dhimbja “nuk është indikacioni më i keq për shëndetin e njeriut”.
Sipas tij, dhimbja mund të jetë edhe një mekanizëm mbrojtës.
“Dhimbja mundet me qenë edhe shumë mik i mirë i njeriut. Nëse nuk kishim pas dhimbje, kishim fillu me i bo dëm trupit. Për këtë arsye dhimbja është një sinjal për ndryshim”, u shpreh fizioterapisti.
Duke folur për përdorimin e barnave kundër dhimbjes, Bytyqi sqaroi se fizioterapeutët nuk janë kundër tyre, por ato nuk duhet të shihen si zgjidhje përfundimtare.
“Barnat janë një prej mënyrave qysh me bo jetën më të lehtë përkohësisht”, tha ai.
Në podcast u diskutua edhe për nervin shiatik, një nga ankesat më të shpeshta te pacientët me dhimbje shpine që përhapen drejt këmbës.
Bytyqi sqaroi se nervi shiatik është nervi më i madh në trup dhe se problemet me të nuk duhet të interpretohen sipërfaqësisht.
“Nervi shiatik është nervi më i madh në trupin e njeriut”, tha ai, duke shtuar se ajo që njihet si shiatikë “është simptomë”.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte ndikimi i telefonit dhe jetës sedentare në dhimbjet e përditshme. Bytyqi tha se telefoni nuk është domosdoshmërisht shkaktari i vetëm, por mënyra si jetojmë gjatë gjithë ditës është vendimtare.
“Telefoni është një mjet, mundet me të ndihmu shumë dhe mundet me ta përkeqësu shumë jetën, varet si përdoret”, tha ai.
Bytyqi foli edhe për kokëdhimbjet që mund të kenë prejardhje nga qafa. Ai shpjegoi se dhimbjet e kokës ndahen në primare dhe sekondare, ndërsa disa prej tyre mund të lidhen me probleme cervikale.
Një nga pjesët më të rëndësishme të bisedës ishte ajo për hernien diskale dhe frikën që pacientët shpesh e krijojnë pasi bëjnë rezonancë magnetike.
Bytyqi tha se hernia diskale është problem serioz, por jo gjithmonë ajo që shfaqet në rezonancë përputhet me gjendjen reale të pacientit.
Ai theksoi se një nga keqkuptimet më të mëdha është barazimi i fizioterapisë me masazhin.
Duke folur për lëndimet në palestër, fizioterapisti tha se fitnesi mund të jetë i dobishëm, por bëhet i rrezikshëm kur personi nuk e menaxhon mirë ngarkesën.
“Fitnesi mundet me të dëmtu nëse peshat janë tu të çu ty, e ti s’je tu i çu peshat”, tha Bytyqi.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë". /Telegrafi/


