Please enter at least 3 characters.

Netanyahu ndjek një itinerar të pazakontë fluturimi për në SHBA

Aeroplani i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fluturoi në një rrugë të pazakontë dhe tërthorazi, me gjasë për të shmangur hapësirën ajrore të vendeve që mund të zbatojnë urdhrin për arrestimin e tij për krime të supozuara lufte.

Netanyahu u nis të mërkurën në mbrëmje nga Tel Avivi për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe për t’u takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, shkruan CNN.

Megjithatë, në vend të rrugës së zakonshme përmes disa vendeve evropiane, aeroplani i tij, sipas të dhënave nga faqet që ndjekin fluturimet, fluturoi përgjatë gjithë Detit Mesdhe dhe përmes ngushticës së Gjibraltarit.

Të dhënat nga FlightRadar24 tregojnë se fluturimi kaloi shkurtimisht mbi Greqi dhe Itali, por shmangu plotësisht hapësirën ajrore të Francës dhe Spanjës, gjë që e zgjati ndjeshëm udhëtimin.

Zyra e kryeministrit izraelit nuk ka dhënë zyrtarisht ndonjë shpjegim përse u zgjodh kjo rrugë e pazakontë. Dy javë më parë, zyra kishte njoftuar se disa gazetarë dhe anëtarë të delegacionit që e shoqërojnë Netanyahun nuk do të udhëtonin me të për shkak të “rregullimeve teknike që lidhen me vendet e uljes dhe sigurinë”.

Gazeta thejerusalempost atëherë shkroi se kjo ishte një mënyrë për të kompensuar nevojën shtesë për karburant.

Një burim diplomatik francez konfirmoi se Franca e kishte miratuar kërkesën e Izraelit për të kaluar nëpër hapësirën e saj ajrore.

“Në fund, ata vendosën të ndjekin një rrugë tjetër dhe nuk e dimë arsyen”, deklaroi diplomati. Për krahasim, udhëtimi i fundit i Netanyahut në SHBA në korrik përfshinte fluturimin mbi Greqi, Itali dhe Francë.

Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) kishte lëshuar një urdhër arresti për Netanyahun në nëntor të vitit të kaluar për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Nëse Netanyahu do të kishte fluturuar mbi vende anëtare të ICC-së, ekzistonte mundësia që të detyrohej të ulej dhe të arrestohej. As Izraeli dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. /Telegrafi/