Në “Acibadem Sistina” u hap Qendra e parë për sëmundjet e gjëndrës tiroide në vend
Në Spitalin klinik “Acibadem Sistina” u hap Qendra e parë për sëmundjet e gjëndrës tiroide në vend, e cila ofron diagnostikim të plotë, trajtim dhe monitorim të të gjitha sëmundjeve të gjëndrës tiroide tek të rriturit dhe fëmijët. Në kuadër të Qendrës funksionon një ekip multidisiplinar i përbërë nga specialistë të mjekësisë nukleare, kirurgjisë torakale, radiologjisë, patologjisë, pediatrisë dhe endokrinologjisë, të cilët pacientëve u mundësojnë kujdes gjithëpërfshirës për të gjitha problemet e gjëndrës tiroide.
Theks i veçantë në punën e Qendrës i kushtohet zbulimit të hershëm të anomalive kongjenitale të mundshme të gjëndrës tiroide tek foshnjat, përmes skriningut me ultrazë, i cili do të përfshihet në paketat e lindjes si ekzaminim falas për të gjitha foshnjat e lindura në “Acibadem Sistina”.
“Krijimi i Qendrës së gjëndrës tiroide është një hap i rëndësishëm drejt ofrimit të kujdesit shëndetësor të nivelit të lartë, të integruar dhe preciz për pacientët tanë. Qëllimi kryesor i kësaj Qendre është që pacientët, brenda një dite dhe në një vend, të mund të kryejnë kontroll specialistik, ultrasonografi, analiza laboratorike, skanim, biopsi dhe çdo ekzaminim tjetër të nevojshëm, pa pasur nevojë për konsulta shtesë apo referime në institucione të tjera. Nëse është e nevojshme, pacientët marrin menjëherë termin dhe planin për trajtim të mëtejshëm, duke përfshirë përcaktimin nëse trajtimi do të realizohet në mënyrë kirurgjikale apo me terapi me radiojod, të cilat janë të disponueshme në spitalin tonë”, thotë Dr. Biljana Crcareva nga “Acibadem Sistina”.
Spitali klinik “Acibadem Sistina”, me ekipin e tij të dëshmuar dhe përvojën e kirurgëve torakalë, realizon mbi 100 intervenime kirurgjikale të gjëndrës tiroide në vit, prej të cilave më shumë se gjysma kryhen tek pacientë të diagnostikuar me karcinomë.
Prandaj, formimi i një qendre të integruar e lehtëson ndjeshëm punën e kirurgëve, të cilët janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me specialistët që monitorojnë pacientët dhe së bashku vendosin për llojin e trajtimit që do të zbatohet. Siguri shtesë për pacientët paraqet fakti se të gjitha operacionet e gjëndrës tiroide në “Acibadem Sistina” kryhen me mbështetjen e sistemit për neuromonitoring, i cili rrit sigurinë e ndërhyrjes kirurgjikale dhe minimizon rrezikun e komplikimeve të mundshme.
“Neuromonitoringu intraoperativ, të cilin e zbatojmë në bashkëpunim me ekipin e neurologjisë, ka rëndësi të madhe krahasuar me identifikimin konvencional vizual të nervave në zonën e gjëndrës tiroide. Bëhet fjalë për një teknikë të sigurt, e cila na mundëson që në kohë reale të ndjekim funksionin dhe integritetin e nervave gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, duke ulur në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e dëmtimit të tyre, veçanërisht të nervit përgjegjës për zërin dhe të folurin”, thotë Dr. Dragan Smilevski.
Me hapjen e Qendrës së gjëndrës tiroide, “Acibadem Sistina” vendos standarde të reja në trajtimin e patologjisë tiroide dhe pozicionohet si qendër referente në rajon për trajtimin e rasteve më komplekse tek fëmijët dhe të rriturit.


