Në raste të rralla qytetarët lajmërojnë ushqimet e dyshimta
Zyrtari për Informim në AUV, Lamir Thaçi ka bërë të ditur se deri me tani nuk kemi hasur në operator të biznesit të cilët shesin produkte me afat të skaduar, posaçërisht operatoret e bizneseve ushqimore. “Të gjitha produktet ushqimore që importohen duhet t’i plotësojë kërkesat higjienike të specifikuara në certifikatat shëndetësore të lëshuara nga autoriteti kompetent”, tha ai për “Epoka e re” .
Sipas Thaçit nuk lejohet importi dhe vendosja në qarkullim për shitje i asnjë produkti ushqimor me afat të skaduar të përdorimit . “Ende mungon përkrahja qytetareve rreth sigurisë në ushqim, janë raste shumë të rralla kur qytetaret kanë lajmëruar për ushqime të dyshimta, në ato pak raste kur kanë lajmëruar kemi intervenuar brenda ditës dhe kemi larguar nga tregu secilin produkt qe është konstatuar si i dyshimtë”, ka pohuar ai.
Duke shtuar se fusha e sigurisë së ushqimit është një fushë komplekse ku duhet monitorim në tërë zinxhirin e saj deri në tryezën e konsumatorit atëherë pa ndihmën e konsumatorëve është vështirë që të futet gjithçka nën kontroll. /Telegrafi/


