Please enter at least 3 characters.

Në 23-vjetorin e çlirimit të Kosovës, familjarët kujtojnë momentet e vështira gjatë dëbimit të tyre me tren

2022/06/Albanian-refugees-leaving-Pristina-in-1999-.jpg
385:"BEL21-19990401-PRISTINA, KOSOVO, YUGOSLAVIA: Pristina's railway station is crowded with Albanian refugees trying to leave the area, Thursday 01 April 1999. More than 60,000 inhabitants of the Kosovo capital Pristina have left the town, fleeing NATO air strikes, the Serb Information center here said Thursday, citing estimates. EPA-PHOTO/EPA/VUK BRANKOVIC/STR/as/hh/ow (YUGOSLAVIA OUT)
3:"EPA

Në 23-vjetorin e çlirimit të Kosovës sot në Bllacë të Hanit të Elezit është mbajtur aktiviteti “Eksodi në Liri” te treni. Familjarë dhe luftëtarë me këtë rast kujtuan momentet e vështira gjatë dëbimit të tyre me tren.

Familjari Xhevat Shkreta ka kujtuar momentet e çlirimit 1999. Ai thotë se ka pasur mbi 8000 refugjatë, kryesisht fëmije, gra dhe të moshuar.

Shkreta: Ka pasur me mijëra njerëz, mbi 8000 refugjatë, fëmijë, gra e të moshuar

“Koha e atëhershme e çlirimit ka qenë tmerr i madh. Është e pamundur edhe të rikujtojmë. Ka qenë fluks i madh i refugjatëve, ka pasur me mijëra njerëz, mbi 8000 refugjatë, fëmijë, gra dhe të moshuar. Deportimi ka filluar në stacion të Han Elezit. Trenat kontrolloheshin nga Policia e Serbisë, i kanë përcjellë në këmbë dhe kalonin këtë pjesë ku ka qenë mbas vagonëve. Ka pasur maltretime të shumta. Ka pasur njerëz edhe me vetura të tyre, por të gjithë i kanë zbritur. Ky vend në përgjithësi ka qenë i minuar. Kemi përjetuar edhe njerëz që kanë ra në mina, ka qenë tmerr i madh”, ka thënë Shkreta.

Ndërsa, ish-pjesëtari i UÇK-së Mirvat Luta ka treguar për KosovaPress se ka pasur luftime të ashpra në Bllacë, ku pjesa më e madhe ishte djegur dhe banorët ishin detyruar të largohen.

Luta: Ka filluar më 27 shkurt-24 mars ka pasur luftime të ashpra në fshatin tonë

“Gjatë kohës së luftës 1999, kam qenë në fshat, ku kemi jetuar shumica e banorëve të fshatit. Më 27 shkurt deri më 24 mars ka pasur luftime të ashpra në fshatin tonë, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me policinë e ushtrinë serbe. Ne ato momente i kemi përjetuar shumë rëndë. Ka pasur viktima. Fshati ynë ka qenë 98 për qind i djegur. Nuk ka mbetur asgjë aty. Më 9 mars jemi tërhequr nga fshati, ka pasur rreth 800 banorë dhe jemi larguar në drejtim të magjistrales Kaçanik-Han i Elezit dhe aty na kanë marrë forcat serbe, i kanë ndarë burrat nga gratë dhe i kanë dërguar disa në stacionin e policisë ku i kanë keqtrajtuar, gratë i kanë dërguar në shtëpi të kulturës ku i kanë keqtrajtuar. OSBE-ja ka pasur ndikim të madh në atë kohë. Me ndihmën e tyre banorët në stacionin e policisë janë liruar si dhe gratë në shtëpi të kulturës. Gjatë kohës së luftës unë kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Ne e kemi bërë krejt këtë rrugë, këta trena janë shumë të vogël në krahasim me numrin e madh të individëve sepse ka pasur nga të gjitha viset e Kosovës”, ka thënë Luta.

Manifestimi qendror për shënimin e 23-vjetorit të çlirimit të Kosovës vazhdoi me programin artistik nga ansambli "Zanat".

23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës 78-ditore ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe./KP