Ndriçimi i rrugës "Xhavit Ahmeti" në Prishtinë nuk fiket prej javësh, kërkohet ndërhyrje nga Komuna
Një qytetar ka ngritur shqetësimin për një rast të dyshuar të keqpërdorimit të energjisë elektrike në rrugën “Xhavit Ahmeti”, duke kërkuar ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse dhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Sipas ankesës, për rreth katër muaj ndriçimi në këtë pjesë nuk ka funksionuar, ndërsa tash, prej rreth tri javësh, ndriçimi i rrugës thuhet se ka qëndruar i ndezur 24 orë në ditë, pa u fikur për asnjë minutë.
Qytetari shpreh shqetësimin se kjo mund të paraqesë shpenzim të panevojshëm dhe keqpërdorim të energjisë elektrike, veçanërisht gjatë temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
“Dikujt i faturohet kjo rrymë”, thuhet në ankesë, ndërsa ngrihet edhe dyshimi se lidhja elektrike mund të jetë bërë në mënyrë jo profesionale dhe nga persona të paautorizuar.
Sipas qytetarit, problemi është raportuar disa herë më parë, por deri më tani, sipas tij, nuk është ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e tij.
Banorët kërkojnë që institucionet kompetente të verifikojnë rastin, të kontrollojnë lidhjen elektrike dhe të sqarojnë se kush është përgjegjës për konsumin e energjisë së shpenzuar gjatë gjithë kësaj periudhe. /Telegrafi/


