Ndotja e ajrit nga termoelektranat e Kosovës, IKSHPK tregon pasojat afatshkurta dhe afatgjata
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se ndotja e ajrit paraqet një nga sfidat më të mëdha mjedisore, shëndetësore dhe klimatike në vendin tonë, e cila konsiderohet si emergjencë globale e shëndetit publik.
IKSHPK thekson se termoelektranat e Kosovës (A dhe B) që përdorin thëngjillin si burim energjie mund të lëshojnë në atmosferë substanca të dëmshme si: ozoni (O3), oksidet e azotit (NOx), dioksidi të squfurit (SO2), dhe materie grimcore me madhësi PM10 dhe PM2.5.
Sipas raporteve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) në Kosovë, sektori i energjetikës është përgjegjës për 40% të emisioneve ndotëse të ajrit, ku lirimi i tymit dhe pluhurit, rritë përqendrimin e grimcave ajrore fluturuese për një kohë më të gjatë në ambientin rrethues.
IKSHPK më tej njofton se më shumë se 90% e tyre kur absorbohen nga mukoza e sistemit të sipërm respirator, ndikojnë në rritjen e incidencës së infeksioneve respiratore tek fëmijët, të moshuarit, shtatzënat, të sëmurët kronik dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura.
IKSHPK ka treguar efektet afatshkurtra dhe ato afatgjata si pasojë e aero-ndotjes mund të jenë shkaktarë të ç’rregullimeve në shumë sisteme dhe organe si:
Rritjen e mortalitetit të popullatës së ekspozuar.
Cilësia e dobët e ajrit është gjithashtu e lidhur me sëmundjet akute dhe kronike të frymëmarrjes, siç janë bronkiti dhe përkeqësimi i astmës
Ndikimit iritues në sy dhe mukozat e sistemit respirator dhe funksionet ventiluese të mushkërive.
Ndikimit toksik në sistemin kardiovasular.
Ndikimit negativ në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe
Ndikimit kancerogjen.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tutje thekson se ka përcjellë me vëmendje shkarkimet e ndotësve nga termoelektranat A dhe B, ku ditëve të fundit është parë një ndotje enorme nga tymtarët e Obiliqit.
Duke analizuar situatën aktuale Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, propozon:
A. Masat afatshkurtra (urgjente) për përmirësimin e menjëhershëm të situatës:
Monitorimi në kohë reale i ndotjes dhe publikimi transparent i të dhënave për qytetarët nga KEK-u.
Monitorimi transparent dhe i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve (kontrolli i rregullt teknik dhe sanksione nese nuk punojnë).
Inspektime të shpeshta nga inspektorët e mjedisit dhe gjoba të larta për tejkalim të normave.
Instalimi i teknologjive për desulfurizim dhe përdorimi i sistemeve për reduktimin e NOx.
Modernizimi i pajisjeve ekzistuese.
B. Masat për mbrojtjen e shëndetit publik:
Krijimi i një sistemi të integruar të informatave në situata emergjente.
Promovimi i rëndësisë së cilësisë se ajrit si përcaktues i shëndetit dhe mirëqenjes së popullatës.
Monitorimi dhe raportimi i rregullt i cilësisë së ajrit.
Ngritja e zonave gjelbruese në mes të zonës industriale dhe asaj të banimit.
Vendosja e standardeve për emetimet industrial.
Zbatimi i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit
Ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës paralajmërojnë dhe alarmojnë se po qëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese. /Telegrafi/


