Please enter at least 3 characters.

Ndodh edhe kjo në Kosovë: Munishi e nxjerr skuadrën nga fusha pas kartonit të kuq në miqësore

Ndeshja miqësore ndërmjet Llapit dhe Lirisë nuk ka shkuar deri në fund, pasi është ndërprerë në minutën e 82-të pas një situate të tensionuar në fushë.

Shkak për ndërprerjen ishte pakënaqësia e trajnerit të Lirisë, Ismet Munishi, me vendimet e gjyqtarit kryesor.

Munishi fillimisht protestoi për një ndërhyrje të palejuar gjatë lojës, mirëpo aksioni vazhdoi dhe ndeshja nuk u ndërpre.

Trajneri prizrenas më pas hyri në fushë për të protestuar ndaj vendimit të gjyqtarit, i cili reagoi duke e ndëshkuar Munishin me karton të kuq.

Situata u përshkallëzua më tej, pasi në shenjë proteste ndaj vendimit të arbitrit, Munishi vendosi ta tërheqë skuadrën e tij nga fusha.

Si pasojë, miqësorja u ndërpre në minutën e 82-të, në një moment kur rezultati ishte 0:0.

Për situatën ka reaguar edhe Llapi, që ishte skuadra vendase. Klubi nga Podujeva ka konfirmuar ndërprerjen e takimit përmes një njoftimi në rrjetet sociale.


“Ndeshja miqësore KF Llapi – FC Liria u ndërpre në minutën e 82-të, në rezultatin 0:0, pas pakënaqësive të ekipit mysafir ndaj ndarjes së drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Llapit.

Ndërkohë, Liria nuk ka bërë të ditur se ndeshja është ndërprerë. Klubi prizrenas në njoftimin e tij është mjaftuar vetëm me publikimin e rezultatit të momentit të fundit, duke mos dhënë detaje për incidentin që çoi në ndërprerjen e takimit./Telegrafi/