Please enter at least 3 characters.

Napoli nuk humbë kohë, takohet me Max Allegrin për ta zëvendësuar Antonio Conten

Raportimet në Itali po shtohen se trajneri Massimiliano Allegri është në listën e shkurtër të Napolit për ta zëvendësuar Antonio Conten, teksa drejtori sportiv Giovanni Manna thuhet se ka udhëtuar drejt Milanos për një takim me trajnerin.

Conte ka lënë sinjale shumë të forta se do të largohet në fund të sezonit, ndërsa “Sky Sport Italia” raporton se në qendrën stërvitore është organizuar edhe një barbecue si një lloj “lamtumire” për trajnerin.

Edhe pse Maurizio Sarri konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për stolin e Napolit, zërat për Allegrin po rriten me shpejtësi. Dy palët kishin pasur kontakte edhe verën e kaluar, para se Conte të vendoste të vazhdonte.

Me tensionin në rritje te Milani dhe me pasigurinë rreth projektit, Napoli po tenton seriozisht ta bindë Allegrin të transferohet në “Stadio Diego Armando Maradona”.

Sipas “Corriere della Sera”, presidenti Aurelio De Laurentiis e ka dërguar Mannën në Milano, ku gjatë ditëve të fundit është zhvilluar një darkë me Allegrin për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.

Manna dhe Allegri njihen mirë nga koha kur kanë punuar bashkë te Juventusi, ndërsa oferta raportohet të jetë e ngjashme me atë të verës së kaluar: një kontratë dyvjeçare.

Në anën tjetër, Milani është i interesuar ta mbajë Allegrin, por trajneri kërkon garanci konkrete në merkato përpara se të marrë një vendim.

Raporti shton se Allegri nuk është i gatshëm të vazhdojë nëse Zlatan Ibrahimovic dhe Giorgio Furlani vazhdojnë të kenë ndikim dominues në strategjinë e klubit./Telegrafi/