Please enter at least 3 characters.

Musliu-Shoshi për incidentin në Skenderaj: Sami Lushtaku nuk ka nevojë për certifikim patriotizmi nga askush

Ish-deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar në Facebook pas incidentit të sotëm në Skenderaj.

Ajo ka thënë se dhuna “nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë zgjidhje”, duke theksuar se Kosova ka nevojë për maturi, respekt dhe përballje demokratike, e jo – siç u shpreh ajo – për nxitje të urrejtjes.

Musliu-Shoshi ka akuzuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se po e shndërron “gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes” në metodë politike, ndërsa sulmet dhe linçimet publike ndaj njerëzve që, sipas saj, ishin në themelet e UÇK-së i ka cilësuar të papranueshme dhe të rrezikshme.

Në reagimin e saj, ajo ka deklaruar se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, “nuk ka nevojë për certifikim patriotizmi nga askush”, duke thënë se ai është ndër njerëzit që ka qëndruar “në kohët më të vështira për Kosovën”.

Tutje, Musliu-Shoshi ka theksuar se respekti për historinë dhe për ata që kanë kontribuar në lirinë e vendit duhet të ruhet pavarësisht dallimeve politike, duke shtuar se “historia nuk rishkruhet me propagandë e as me etiketime të ulëta”.