Mourinho, “litar shpëtimi” për Endrickun - a mundet braziliani ta bindë 'Special One'
Endrick mezi pret të kthehet te Real Madridi, me shpresën se do të arrijë të bindë trajnerin e ardhshëm të ekipit – dhe sipas raportimeve, një nga emrat që përmendet është Jose Mourinho.
Sulmuesi brazilian i tha lamtumirë këtë të diel Olympique Lyonit, ku e kaloi gjysmën e dytë të sezonit si i huazuar, dhe tani synimi i tij është të ketë më në fund sukses në klubin që e solli në Evropë.
Endrick nuk ishte në planet e Xabi Alonsos, pasi në pjesën e parë të sezonit luajti vetëm tri ndeshje gjithsej (një në La Liga, një në Copa del Rey dhe një në Ligën e Kampionëve). Për këtë arsye, klubi e pa si zgjidhje të mirë që ai të merrte minuta jashtë La Ligës.
Edhe vetë lojtari e pranoi huazimin, duke pasur parasysh se ishte vit i Kupës së Botës dhe koha e lojës konsiderohej vendimtare për t’u futur në listën e Brazilit.
Bilanc pozitiv te Lyoni
Mundësia për të luajtur në Francë u konkretizua dhe Endrick nuk hezitoi. Edhe pse paraqitjet e tij nuk u cilësuan “spektakolare”, ato nuk ishin as zhgënjyese, në një ambient të ri, me një ligë dhe bashkëlojtarë të rinj, ai arriti të shënojë tetë gola në 21 paraqitje me Lyonin.
Po ashtu, ai regjistroi edhe tetë asistime, duke i dhënë huazimit një bilanc të përgjithshëm pozitiv.
Tani, me këto shifra, dëshira e Endrickut është të qëndrojë te Real Madridi, por vendimi final do t’i takojë trajnerit të ri. Nëse Mourinho konfirmohet si trajner i ardhshëm, portugezi do të duhet të vendosë se çfarë roli do të ketë braziliani, i cili besohet se mund të jetë një armë e vlefshme nga stoli.
Endrick është i vendosur të provojë veten në “Santiago Bernabéu” dhe të justifikojë pritjet si një prej talenteve më të mëdha që erdhi nga Brazili. Ai do t’i mbushë 20 vjeç në korrik dhe, sipas Transfermarkt, vlera e tij aktuale në treg është 35 milionë euro.
Javët e ardhshme pritet të sqarojnë të ardhmen e tij, ndërsa një paraqitje e mirë në Kupën e Botës mund ta rrisë edhe më shumë vlerën e sulmuesit. /Telegrafi/


