“Monstra”: Anulohet marrja në pyetje e dëshmitarit të mbrojtur (Video)
Nga Gjykata Themelore Shkupi 1 njoftuan se për këtë rast mediumet do të njoftohen nëpërmjet komunikatës zyrtare nga Gjyqi. Edhe avokati i pesë të arrestuarve për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë, Naser Raufi, nuk ka informata se kur do të merret në pyetje dëshmitari i mbrojtur, raporton “Alsat-M”.
Nëse edhe nesër nuk fillojnë hetimet për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë, atëherë hetuesisë i mbeten edhe pesë ditë pune që të fillojnë hetimet dhe të ngrenë akuzën. Në të kundërtën, në fund të javës së ardhshme, sipas ligjit - nëse autoritetet nuk sigurojnë prova për ngritjen e akuzës - personat e arrestuar duhet të lirohen pasi ky është muaji i gjashtë i paraburgimit të tyre.
Në aksionin policor “Monstra” të datës 1 maj, policia arrestoi 20 persona, ndërsa vetëm 5 prej tyre, Alil Demirit, Afrim Ismailoviqit, të cilët gjenden në arrati, si dhe Agim Ismailoviq, Rami Sejdi dhe Fejzi Haziri që janë në paraburgim, janë nën dyshimin për veprën e terrorizmit. Për këtë vepër ngarkohet edhe Haki Haziri, i cili gjithashtu gjendet në paraburgim që nga 8 maji. /Telegrafi/


