Please enter at least 3 characters.

Milani po përgatit revolucionin, ‘trajneri i ri’ ka nisur planifikimin e skuadrës

Ish-trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, ka arritur marrëveshje me Milanin për të marrë drejtimin e skuadrës, sipas gazetarit të njohur italian Daniele Longo.

Sipas raportimeve, tekniku austriak ka pranuar një kontratë dyvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon shtesë, nga e cila do të përfitojë rreth katër milionë euro në vit.

“Për momentin, gjithçka po shkon në drejtimin që Oliver Glasner të bëhet trajneri i ri i Milanit. Sot kam shumë pak dyshime për këtë dhe do të habitesha nëse situata do të ndryshonte papritur”, deklaroi Longo.

Ai zbuloi gjithashtu se palët kanë nisur tashmë diskutimet për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

“Janë zhvilluar bisedat e para për planifikimin e ekipit. Glasner dëshiron të kuptojë se te cilët lojtarë mund të mbështetet, cilat pozita kanë nevojë për përforcime dhe cilët futbollistë klubi mund të jetë i gatshëm t’i shesë".

Sipas Longos, ardhja e Glasner do të sillte një ndryshim të rëndësishëm taktik te kuqezinjtë.

“Stili i tij i lojës bazohet te sistemi me tre mbrojtës dhe një organizim krejtësisht ndryshe në fazën sulmuese. Pikërisht për këtë arsye Milani ka nevojë për përforcime të reja, veçanërisht në repartin ofensiv”.

Në listën e dëshirave të trajnerit austriak ndodhet sulmuesi i Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta, i cili konsiderohet si një nga profilet ideale për projektin e ri.

Gjithashtu, Glasner do të dëshironte të ribashkohej me Ismaila Sarr, megjithëse realizimi i këtij transferimi shihet si mjaft i vështirë në këtë moment.

Sa i përket repartit defensiv, Andreas Christensen dhe David Alaba janë dy nga emrat që po shqyrtohen si opsione të mundshme për të përforcuar mbrojtjen e Milanit./Telegrafi/