Mickoski: Rasti "Talir 2" ishte i sajuar, kemi qenë cak i agresionit nga qeveria e mëparshme
Lidhur me lirimin nga akuzat të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në rastin "Talir 2" dhe zhbllokimin e aseteve të OBRM-PDUKM-së, kryeministri Hristijan Mickoski tha se partia e tij gjatë kohës së ish-qeverisë ishte cak i persekutimit politik dhe një forme agresioni.
"Ata shpikën një rast që nuk ekziston, siç është "Talir 1 dhe 2". Dje, Gjykata më në fund, sa i përket partisë politike OBRM-PDUKM, nxori një vendim që është në përputhje me drejtësinë dhe gjithçka që pritet nga qytetarët. Sa i përket pjesës tjetër të vendimit dhe personit të përfshirë, nga ajo që munda të lexoj nga përgjigja e këshillit penal në Gjykatë, mund të konkludoj se është pasojë e ndryshimeve ligjore në Kodin Penal, të miratuara nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së.
Për shkak të tyre, pati shumë amnisti politike, por ato do të vazhdojnë. Pasi të bësh një gabim, ai gabim bëhet rregull dhe të ndjek. Më në fund, drejtësia është vënë në vend për OBRM-PDUKM-në", shtoi kryeministri gjatë vizitës së tij në Komunën e Sarajit.
Ish-kryeministri Gruevski u lirua nga akuzat në rastin “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të selisë së partisë së OBRM-PDUKM-së.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi tha se kjo ishte për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal, por edhe për faktin se prokuroria nuk arriti të provonte fajësinë e ish-kryeministrit gjatë procesit./Telegrafi/


