Please enter at least 3 characters.

Mesxhidi në Mitrovicë operon pa autorizim të Bashkësisë Islame, flasin nga BIK dhe komuna

Mitrovica ka punuar dhe vazhdon të punojë në parandalimin e çdo ekstremizmi. 

Në anën tjetër gjatë ditëve të fundit është identifikuar një mesxhid ose ndryshe xhami, e cila nuk po funksiononte nën autorizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, shkruan Telegrafi.

Ky mesxhid, në formë lokali, është identifikuar në zonën rreth stacionit të autobusëve. Mesxhidet konsiderohen si institucion fetar, por në rastin konkret, nuk janë nën autoritetin e institucioneve fetare në Kosovë.

Drejtori i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Mitrovicë, Ekrem Avdiu ka thënë se nuk di se kush qëndron pas këtij objekti dhe se i njëjti nuk është i autorizuar nga BIK-u.

“Jam në dijeni për një mesxhid, nuk është e regjistruar dhe autorizuar në Bashkësinë Islame. Nuk e di se kush qëndron pas saj”, ka thënë Avdiu për Telegrafin.

Drejtori i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Mitrovicë, Ekrem Avdiu

Për këtë situatë, ai është shprehur se kanë bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës dhe Komunën e Mitrovicës.

“Bashkëpunimi ynë me komunën dhe policinë lidhur me këtë çështje është në nivelin e kënaqshëm”, ka shtuar ai.

Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim në Komunën e Mitrovicës, Edison Tërnava, është shprehur njësoj si Avdiu, se nuk ka informacione se kush qëndron pas këtij mesxhidi.

“Kemi marrë informacione nga Bashkësia Islame se është hapur një mesxhid tek stacioni i autobusëve pa dijeninë e tyre. Nuk kemi shumë informacione se kush e ka hapur dhe kush qëndron pas saj”, ka shtuar Tërnava për Telegrafin.

Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim në Komunën e Mitrovicës, Edison Tërnava

Ai ka theksuar faktin se nuk është paraqitur asnjëherë asnjë leje apo kërkesë në Komunën e Mitrovicës për hapjen e këtij mesxhidi, raporton Telegrafi.

“Fillimisht duhet me dal Inspektorati për të bërë verifikimin se ku është kjo mesxhide, çfarë është duke u zhvilluar në atë hapësirë. Pastaj organet e rendit në bashkëpunim me Bashkësinë Islame duhet të merren më shumë me këtë çështje”, ka potencuar drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim në Komunën e Mitrovicës.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, për Telegrafin ka bërë të ditur se tashmë ka marrë informacione për këtë objekt dhe së bashku me inspektorët do ta trajtojnë në suaza të kompetencës së tyre.

“Dje në mbrëmje e kam marrë informacionin për këtë mesxhide, sot e kemi diskutuar me inspektorë. Ne do ta trajtojmë këtë temë në suaza të kompetencës sonë. Nëse e shohim se ka elemente që duhet t’i trajtojmë ne, sigurisht që do t’i trajtojmë”, ka deklaruar Brahimi.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi

Ai ka potencuar se ky mesxhid funksionon në formë lokali dhe pa e verifikuar mirë situatën, nuk mund të japin asnjë rezultat.

“Nëse nuk ka leje për të operuar, ne mund ta mbyllim. Por pa e bërë inspektimin, pa e parë situatën, pa e sqaruar situatën me pronarin në fjalë nuk mund të japim rezultate”, ka vijuar drejtori i kësaj drejtorie.

Ndryshe Telegrafi ka provuar të gjejë kontakt dhe të mesxhidit në fjalë për të parë edhe komentin e qëndrimin e tyre, por deri tani ka qenë e pamundur.

Kujtojmë që gjatë ditëve të fundit, në Mitrovicë, organizata jo-qeveritare “EDU Task” ka mbajtur një trajnim mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Mbajtja e trajnimit mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, në Mitrovicë, më 22.05.2025

Kjo temë bëri bashkë aktivistë të shoqërisë civile, analistë, pedagogë, kryetarë të këshillave të fshatrave, njohës të fesë dhe profesorë.

Në këtë trajnim u vlerësua se ngritja e vetëdijes tek rinia do të ishte një mënyrë për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në gjeneratat e ardhshme, e kjo me ndihmën e institucioneve shtetërore. /Telegrafi/