Merkel: Gjermania do të dalë me plan për emigrantët
Ajo u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që të pranojnë shpërndarjen e drejtë të azilkërkuesve.
Gjermania pret të marrë rreth 800,000 azilkërkues këtë vit – katër herë më shumë se në vitin 2014 dhe më shumë se çdo vend tjetër i BE-së.
Duke folur për gazetarët në Berlin, Merkel ka thënë se qeveria do të zbulojë planin për përshpejtimin e procedimit të kërkesave për azil dhe për ndërtimin e strehimoreve për migrantë, shumica prej të cilëve aktualisht qëndrojnë në kontejnerë dhe tenda.
"Por, Evropa, si e tërë, duhet të lëvizë”, tha Merkel.
Kombet e Bashkuara thonë se, këtë vit, rreth 300,000 njerëz kanë ikur nga lufta dhe vështirësitë ekonomike në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi për të arritur në Evropë.
Merkel ka kritikuar vendet që kanë refuzuar emigrantë nga vendet myslimane.
“Nëse ne nisim të themi ‘nuk duam myslimanë’, atëherë nuk është mirë”, ka thënë Merkel.
Katër vende evropiane, Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, kanë bllokuar propozimet e Brukselit, sipas të cilave, shtetet anëtare të BE-së duhet të pranojnë kuotat e detyrueshme për azilkërkuesit që kalojnë Detin Mesdhe dhe arrijnë në Itali dhe Greqi.


