Mbrëmja e çmimeve "Oscars": Kush e mban rekordin për më së shumti nominime në histori?
Sonte (e diel) mbahet mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve, “Oscars 2022”.
Megjithëse tashmë e dimë listën e të nominuarve, me këtë pyesim disa fakte si kush e mban rekordin për më së shumti nominime për “Oscar” në histori.
Epo, ka dy mënyra për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, pasi është një gjë të zotërosh rekordin për shumicën e nominimeve për “Oscar” për një person të gjallë dhe një tjetër për një person të gjallë ose të vdekur.
Nëse flasim për rekordin për shumicën e nominimeve për “Oscar” për një person të gjallë, ai i përket kompozitorit legjendar John Williams, i cili është nominuar ndër vite kryesisht për çmimin "Kolona zanore më e mirë".
Williams arriti disa vite më parë të thyente rekordin që tashmë i përkiste duke shtuar nominimin e tij të 52-të në historinë e “Oscars”, falë punës së tij në "Star Wars: The Rise of Skywalker".
Nominimi i parë i Williams erdhi në vitin 1967 për " Valley of the Dolls" dhe fitorja e trofeut të parë erdhi në vitin 1971 për "Fiddler On the Roof". Në total, muzikanti ka fituar pesë çmime “Oscar” – përveç kësaj ai është fitues i 25 çmimeve “Grammy”.
Ndër filmat për të cilët Williams ka bashkëpunuar dhe që i kanë sjellë atij nominime për çmimet “Oscar” janë: “Jaws”, “Schindler's List”, “Superman”, “Star Wars”, “Indiana Jones”, “Harry Potter” dhe “ET: The Extra-Terrestrial”.
Është interesante se si në vitin 2021 ashtu edhe në vitin 2022, Williams nuk u nominua për asnjë çmim “Oscar”.
Megjithatë, Williams nuk mban rekordin për shumicën e nominimeve për “Oscar” në histori për një person të gjallë ose të vdekur, pasi pronari i këtij rekordi është një tjetër figurë historike e kinemasë dhe animacionit, Walt Disney, i cili vdiq në vitin 1966 dhe në total pati 59 nominime për “Oscar” gjithsej gjatë karrierës së tij. /Telegrafi/


