Mbi 1.300 persona të zhdukur, numri i viktimave nga përmbytjet në kufirin Nepal-Kinë rritet në 168
Turistët e zhdukur raportohet se përfshijnë rreth 300 nga India, 54 nga SHBA-ja, 34 nga Australia, 33 nga Britania, 17 nga Malajzia dhe 8 nga Koreja e Jugut
Vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, të mbështetura nga helikopterë dhe dronë, ndërsa numri i viktimave nga përmbytjet shkatërruese të rrëmbyeshme përgjatë kufirit Nepal-Kinë u rrit në 168 dhe mbi 1.300 persona mbeten të zhdukur, transmeton Anadolu.
Autoriteti Kombëtar i Nepalit për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë konfirmoi 165 viktima dhe tha se 826 persona mbeten të zhdukur, përfshirë turistë, shtetas të huaj, zyrtarë civilë, ushtarë, policë dhe banorë lokalë.
Turistët e zhdukur raportohet se përfshijnë rreth 300 nga India, 54 nga SHBA-ja, 34 nga Australia, 33 nga Britania, 17 nga Malajzia dhe tetë nga Koreja e Jugut.
Autoritetet kineze konfirmuan tre viktima, ndërsa 558 persona mbeten të zhdukur.
Sipas pamjeve satelitore, përmbytjet mund të jenë shkaktuar nga shkëputja e një mase të madhe akulli nga një akullnajë e Himalajeve, rreth 20 kilometra në verilindje të pikës kufitare Rasuwa-Rasuwagadhi.
Shkëputja bëri që tonelata akulli dhe shkëmbinjsh të binin në lumin Bhotekoshi.
Qeveria nepaleze tha se po zhvendos banorët e prekur dhe po mobilizon ushtrinë dhe operatorët privatë të helikopterëve për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Ushtria nepaleze dhe operatorët privatë të helikopterëve kanë transportuar me rrugë ajrore 114 persona në vende të sigurta.
Sipas të dhënave fillestare, përmbytjet shkatërruan 19 ura dhe një segment prej 40 kilometrash të një autostrade kryesore, duke ndërprerë rrugët e transportit dhe duke vështirësuar përpjekjet e shpëtimit.
Rreth 300 indianë mes të zhdukurve
Khanal i tha veçmas transmetuesit indian NDTV se “rreth 300 indianë janë raportuar të zhdukur dhe qeveria po përpiqet të vendosë kontakt me ta”.
Ai tha gjithashtu se shtetas të huaj, përfshirë indianët, përdorin rrugën në zonën e prekur për Masarovar Yatra, një pelegrinazh i shenjtë për hindusët.
Qeveria shpalli rrethet Rasuwa, Nuwakot dhe Dhading “zona të krizës nga fatkeqësitë” për një periudhë tremujore.
Autoriteti Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë u kërkoi operatorëve të helikopterëve dhe dronëve të koordinojnë përpjekjet e shpëtimit me administratat e distrikteve, agjencitë e sigurisë dhe qeveritë lokale.
3 viktima dhe 558 të zhdukur në Tibet
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe 558 mbeten të zhdukur në rrethin Gyirong të Kinës pas fatkeqësisë së shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut, raportoi të enjten media shtetërore kineze.
Rrëshqitja e dheut goditi pikën kufitare Gyirong në rajonin autonom jugperëndimor Xizang, i njohur gjerësisht si Tibet, raportoi agjencia e lajmeve Xinhua me seli në Pekin.
Një grup drejtuesish nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës u dërgua të enjten në zonën e prekur për të koordinuar operacionet e përbashkëta të shpëtimit nga personeli ushtarak.
Pika kufitare Gyirong është pika kryesore e kalimit për turistët dhe trafikun mes Kinës dhe Nepalit./AA/.


