Please enter at least 3 characters.

Mashtrim me përmbajtjen e produkteve të qumështit, AUV gjobit disa prodhues dhe importues

Veterinerët zyrtarë të Agjencia për Ushqim dhe Veterinari kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme ndaj qumështit, produkteve të qumështit dhe produkteve të mishit të përpunuar, me qëllim verifikimin nëse cilësia reale e produkteve përputhet me të dhënat e deklaruara në etiketat e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, nga 45 mostra të qumështit dhe produkteve të qumështit të analizuara në laborator, te 10 operatorë është konstatuar se produktet nuk përputheshin me rregulloren për cilësinë e produkteve bujqësore. Analizat kanë treguar se produktet përmbanin përqindje më të ulët të yndyrës së qumështit sesa ajo e deklaruar në ambalazh.

Njërit prej operatorëve i është shqiptuar gjobë prej 3.500 eurosh pasi analizat e 22 kilogramëve djathë të grimcuar treguan se produkti përmbante vetëm 1 për qind yndyrë qumështi, ndonëse në deklaratë ishte shënuar 20 për qind.

Për mashtrim të konsumatorëve, edhe tetë operatorë të tjerë – prodhues dhe importues – janë gjobitur me nga 1.050 euro secili, pasi te produktet e tyre është konstatuar mospërputhje mes përqindjes së deklaruar dhe asaj reale të yndyrës së qumështit.

Kontrollet zbuluan gjithashtu se një operator kishte përdorur yndyra bimore (vaj palme) në prodhimin e një produkti qumështi. Për këtë shkelje ai është gjobitur me 1.300 euro, ndërsa 500 kilogramë të produktit të kontestuar janë tërhequr nga tregu dhe janë asgjësuar në mënyrë të sigurt në deponi.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftojnë se kontrollet e shtuara inspektuese ndaj operatorëve në sektorin ushqimor do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e cilësisë së produkteve që tregtohen në vend.