MASh për rastin e raportuar në Gjakovë: Inspektorati kontaktoi Policinë dhe DKA-në, drejtori u pezullua nga puna
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e raportuar në Komunën e Gjakovës për ngacmim seksual nga ana e drejtorit të shkollës "Pjetër Bogdani" në Demajn, duke theksuar se institucionet arsimore duhet të jenë mjedise të sigurta dhe mbrojtëse për çdo fëmijë.
Në një postim në Facebook, MASh ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë për të siguruar informacione relevante për veprimet institucionale të ndërmarra.
“Menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë për të siguruar informacionet relevante lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra”, thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë, autoritetet komunale kanë informuar se komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës.
“Sipas informatave të pranuara nga autoritetet kompetente komunale, Komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës”, thuhet më tej.
MASh ka theksuar se çdo formë e ngacmimit seksual, dhunës, abuzimit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është e papranueshme dhe e dënueshme.
“Çdo formë e ngacmimit seksual dhe dhunës dhe abuzimit e keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, thuhet në postim.
Ministria ka kërkuar që çdo veprim i dyshuar që cenon integritetin dhe dinjitetin e të miturve të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga organet kompetente, ndërsa ka shprehur pritjen që rasti të trajtohet me prioritet dhe profesionalizëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“MASh pret nga të gjitha institucionet përgjegjëse që rasti të trajtohet me prioritet, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi deri në një dënim meritor”, thuhet në njoftim.
Në fund, MASh ka bërë të ditur se do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me rastin dhe se do të ofrojë mbështetjen e nevojshme institucionale në kuadër të kompetencave të saj.
“Ministria do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me këtë rast dhe do të ofrojë mbështetjen e nevojshme institucionale në kuadër të kompetencave të saj”, thuhet në postim. /Telegrafi/


