Marrëveshja LVV-LDK për Bekim Sejdiun president, kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së dhe reagimet
Lidhja Demokratike e Kosovës të martën është përfshirë në një debat të brendshëm pas marrëveshjes politike me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, pasi përkundër miratimit unanim të kandidaturës nga Kryesia e LDK-së, gjashtë deputetë të kësaj partie kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin atë në Kuvend.
Sipas partisë, vendimi është marrë në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i LDK-së dhe procedurat e brendshme vendimmarrëse.
LDK-ja argumentoi se marrëveshja nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e presidentit, por synon edhe tejkalimin e krizës institucionale dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
Partia e cilësoi Sejdiun si kandidat me përvojë të gjerë, duke përmendur angazhimin e tij si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Kryetar i kësaj partie, Lumir Abdixhiku tha se kandidatura e Bekim Sejdiut ishte miratuar në mënyrë unanime nga Kryesia e LDK-së, pa asnjë votë kundër.
“Bekim Sejdiu njihet si një Rugovist i jashtëzakonshëm. Në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër, votuan për kandidaturën e Bekim Sejdiut”, tha Abdixhiku, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, pas vendimit të Kryesisë, LDK-ja kishte bërë thirrje publike për deputetët e saj që ta mbështesnin kandidaturën e Sejdiut.
Megjithatë, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Abdixhiku tha se gjashtë deputetë kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidatin e propozuar nga partia.
“Me keqardhje për popullin e Kosovës dhe për procesin në të cilin jemi, gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së”, u shpreh ai.
Abdixhiku përmendi me emër deputetët Abdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri si deputetët që, sipas tij, kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun.
Kreu i LDK-së tha se mosmbështetja e kandidaturës e dëmton rëndë procesin për zgjedhjen e presidentit dhe, sipas tij, e bën të pashmangshme shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“E konsideroj që i bëjnë dëm të pariparueshëm gjithë procesit dhe, pashmangshëm, duke e humbur një mundësi të madhe, e dërgojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shprehu keqardhje të madhe për qëndrimin e deputetëve, duke theksuar se, sipas tij, çështja nuk kishte të bënte me betejë personale apo politike ndaj tij, por me interesin institucional të Republikës së Kosovës.
“Ndjej keqardhje të madhe, jo vetëm për faktin që këto fytyra kanë një përvojë të jashtëzakonshme. S’ka qenë betejë për mua, por për Republikën e Kosovës. Kemi pasur një njeri të jashtëzakonshëm të balancës institucionale”, tha Abdixhiku.
Pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri.
Përmes një deklarate, Ymeri ka bërë të ditur se nuk do ta votojë zgjatjen e pushtetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e kritikuar ashpër qeverisjen e tij.
“Një kryeministër si Albin Kurti është argat i mafisë energjetike. Edhe sot, me gjithë pasojat për pozitën time brenda partisë, vendos të mos e votoj zgjatjen e pushtetit të tij”, ka deklaruar Ymeri.
Ajo e ka cilësuar pushtetin e Kurtit si të komprometuar dhe antikombëtar.
Ndërsa sa i përket kandidatit për president, Ymeri ka thënë se ai, sipas saj, nuk kishte profilin dhe pavarësinë e nevojshme për të krijuar balancë të pushteteve.
“Kandidati për President, në anën tjetër, nuk kishte as profil e as pavarësi që të sillte balancë pushteti dhe forcë ndaj kapjes nga Vetëvendosja”, ka shkruar ajo.
Ymeri ka theksuar se shpresat për një të ardhme më të mirë lidhen me vendimet që merren në momente të rëndësishme politike.
“Shpresë ka kur njerëzit vendosin për një të ardhme më të mirë, dhe kjo ditë duhet të jetë e tillë”, ka thënë ajo.
Po ashtu edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda partisë lidhur me procesin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Bajrami ka bërë të qartë se nuk e ka deleguar votën e saj te askush dhe se do të votojë në përputhje me bindjet e saj dhe, siç ka thënë, në interes të vendit.
"Mbështetja që kam marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk më është dhënë për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit. Përkundrazi, këtë besim e kam marrë se besoj fort se kam arritë të jem zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit, kam punuar e jam angazhuar për interesin e vendit dhe kam mbrojtur e ruajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa kam mundur", ka shkruar ajo.
Ajo ka kundërshtuar mundësinë që, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, LDK-ja të bëhet pjesë e një marrëveshjeje që, sipas saj, do t’ia zgjaste pushtetin e përqendruar Kurtit.
"Prandaj, për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit. Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie".
Deputetja e LDK-së ka kritikuar përqendrimin e fuqisë institucionale në duart e një partie dhe një personi, duke e cilësuar këtë si rrezik për demokracinë.
“Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin, tashmë e dëshmuar kjo që gjashtë vite radhazi”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka theksuar se është kundër zgjedhjeve të reja, por ka thënë se shmangia e tyre nuk duhet të përdoret si arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje të cilën nuk e kanë diskutuar paraprakisht
Ajo ka kritikuar gjithashtu mënyrën e konsultimit për emrat e diskutuar për president, duke thënë se deputetët e LDK-së nuk janë konsultuar para arritjes dhe publikimit të marrëveshjes.
“Emrat e diskutuar për President të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së. Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike”, ka thënë Bajrami.
Pas këtyre deklarateve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LVV-së, duke komentuar marrëveshjen e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidaturën konsensuale të profesorit Bekim Sejdiu për president të Republikës.
“Patëm një mbledhje me Grupin Parlamentar të LVV-së. Të gjithë e mirëpritën marrëveshjen që kemi arritur me LDK-në, me emrin e përbashkët të kandidatit konsensual, profesor Bekim Sejdiu. Unë isha shumë i lumtur që mbështetja ishte e plotë nga të gjithë deputetët e grupit tonë parlamentar”, deklaroi Kurti.
Megjithatë, ai tha se zhvillimet e fundit kanë krijuar një situatë të re politike, pasi gjashtë nga 12 deputetët e LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president.
“Kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të fundit. Në njërën anë ishte shpresëdhënëse mbledhja e Kryesisë, ndërsa më pas patëm njoftimin negativ se gjashtë deputetë, nga 12 sa i ka LDK-ja, nuk e mbështesin Bekim Sejdiun si president të Republikës”, tha ai.
Sipas Kurtit, kjo rrethanë e re kërkon veprime të mëtejshme politike. Ai bëri të ditur se planifikon të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, ndërsa më pas çështja do të diskutohet edhe në Kryesinë e LVV-së.
“Kjo është një situatë e re që kërkon, në njërën anë, që të takohem sërish me kryetarin e LDK-së dhe, në anën tjetër, që të kthehem në Kryesinë e LVV-së për të diskutuar rrethanën e re politike dhe rrugën që duhet të ndjekim”, u shpreh Kurti.
Kryetari i LVV-së kritikoi gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin Sejdiun.
Ai e cilësoi këtë qëndrim si të dëmshëm dhe të papërgjegjshëm, duke paralajmëruar se një situatë e tillë mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Për bindjen time të fuqishme, në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar e konsiderojmë të dëmshme, të papërgjegjshme, absurde një sjellje të tillë të këtyre gjashtë deputetëve, ku pas tri palë zgjedhjesh duket që ka dëshirë, vullnet dhe interes që të shkojmë në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, deklaroi Kurti, përcjell Telegrafi.
Ai tha se qytetarët e Kosovës kanë dhënë mesazhin e tyre në tri palë zgjedhjet e fundit dhe se, sipas tij, nuk do të duhej që vendi të shkonte sërish në zgjedhje pa një arsye dhe nevojë të qartë.
“Qytetarët kanë folur qartë në tri zgjedhjet e fundit. Nuk do të duhej që pa arsye dhe pa nevojë të shkojmë përsëri në zgjedhje, të cilat janë të dëmshme për stabilitetin institucional”, tha Kurti.
Ai tha se marrëveshja politike me LDK-në vazhdon të qëndrojë, pavarësisht qëndrimit të gjashtë deputetëve të kësaj partie, të cilët kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin Sejdiun për president.
“Marrëveshja politike që kemi bërë me LDK-në qëndron, por çfarë të bëjmë që kishim qëndrimin e këtyre gjashtë deputetëve. Duket qartë se nuk e kanë kundër Bekim Sejdiun, sa e kanë kundër qeverisë që unë e udhëheq”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se kandidati i LVV-së për president vazhdon të jetë Bekim Sejdiu, ndërsa theksoi se pas zhvillimeve të fundit nuk mund të ndërmarrë hapa të tjerë pa zhvilluar takime me drejtuesit e të dyja partive.
“Për LVV-në kandidati për president është Bekim Sejdiu. Po e përsëris që duhet të takohem me kryetarin e LDK-së, por edhe me Kryesinë e LVV-së, pasi situata ka ndryshuar. Nuk mund të ndërmarr asnjë hap pa u takuar me kryetarin Abdixhiku dhe Kryesinë e LVV-së. Besoj në vullnetin e sinqertë të Abdixhikut dhe në interesin e përgjithshëm të qytetarëve që të mos të shkojmë në zgjedhjet e përsëritura. Pra zgjedhjet e katërta me radhë për më pak se dy vjet po na kërcënojnë për shkak të papërgjegjësive së disave”, tha Kurti. /Telegrafi/


