Please enter at least 3 characters.

Mark Zuckerberg u dhuroi "kufje me anulim zhurmash" fqinjëve të tij - për t’i ndihmuar të përballojnë zhurmat nga ndërtimet rreth rezidencës së tij

Mark Zuckerberg, bashkëthemeluesi i Facebook dhe CEO i kompanisë Meta, ka dhuruar kufje me anulim zhurme fqinjëve të tij në Palo Alto, Kaliforni për t’i ndihmuar ata të përballojnë zhurmat e pandërprera nga ndërtimet rreth rezidencës së tij.

Prej më shumë se 14 vitesh, miliarderi ka blerë të paktën 11 shtëpi në lagjen Crescent Park, duke shpenzuar mbi 110 milionë dollarë.

Ndërhyrjet e shumta, që përfshijnë kopshtet luksoze, një pishinë dhe jo vetëm, kanë shndërruar lagjen dikur të qetë në një zonë ndërtimi të përhershëm.

Dhe banorët ankohen se prej gati tetë vitesh përballen me rrugë të bllokuara, mbeturina dhe zhurmë të vazhdueshme, përcjell Telegrafi.

Shumë prej shtëpive të blera nga Zuckerberg qëndrojnë bosh, pavarësisht mungesës së strehimit në rajon.

Nën tokë, ai ka ndërtuar mbi 7,000 metra katrorë hapësira të përshkruara si “bodrume”, të cilat fqinjët i quajnë “bunkere”.

Përveç kufjeve, stafi i tij ka shpërndarë shishe vere dhe kuti me ëmbëlsira “për të qetësuar” banorët e zemëruar.

Megjithatë, disa prej fqinjëve thonë se lagjja e tyre është transformuar për keq, për shkak të kamerave të sigurisë dhe rojeve private që patrullojnë vazhdimisht zonën. /Telegrafi/