Marcelo në Juventus, Tagliafico në Real Madrid
Real Madridi pritet të ketë ndryshime të mëdha gjatë afatit kalimtar të verës pasi që në këtë sezon vështirë se do t'i arrij objektivat.
Kampioni evropian dhe i botës, madrilenët po kërkojnë një lojtar që do ta zëvendësojë 30-vjeçarin, Marcelo, i cili ka gjasa të transferohet te Juventusi.
Një ndër objektivat për krahun e majtë të mbrojtjes është futbollisti i skuadrës holandeze të Ajaxit, Nicolas Tagliafico.
Menaxheri i futbollistit argjentinas, Ricardo Schlipper konfirmoi se gjiganti spanjoll po planifikon të përforcohet me klientin e tij.
"Më kanë thënë se Tagliafico është një ndër objektivat kryesore të Realit, sepse Marcelo do të shkojë në Juventus", tha Schlipper për mediat argjentinase. "Është kohë e mirë që argjentinasi të luajë në një nivel më të lartë", tha ai.
Ishte Tagliafico, ai i cili ishte në qendër të vëmendjes së ndeshjes ndërmjet Ajaxit dhe Realit (1:2) në të 1/16 së finales të Ligës së Kampionëve, kur iu anulua një gol nga gjyqtari Damir Skomina përmes teknologjisë VAR.
Ndryshe, 26-vjeçari deri më tani ka pasur 31 paraqitje për holandezët dhe ka shënuar dy gola në të gjitha garat. /Telegrafi/


