Maji i 2026-së ishte i dyti më i ngrohti në nivel global
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot parashihet mot me diell dhe vranësira të dendura.
IHK njofton se gjatë ditës, vranësirat pritet të zhvillohen më tej duke sjellë reshje shiu, rrebeshe afatshkurtra dhe shkarkesa elektrike.
Në disa lokalitete ekziston rreziku për paraqitje të breshrit.
Temperaturat do të shënojnë ulje krahasuar me ditët paraprake, ku ato minimale do të jenë 11 deri në 14 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 21 deri në 25 gradë.
Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–10 m/s
Ndërkaq, Bashkim Kastrati nga IHK referuar buletinit të fundit të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus njofton se maji 2026 ishte i 2-ti më i ngrohti në nivel global në të gjithë tokën dhe detin.
Siç theksohet Evropa përjetoi një kalim të shpejtë klimaterik nga kushtet më të freskëta se mesatarja në një valë nxehtësie jashtëzakonisht të hershme dhe intensive si në: Francë, Britani të Madhe, Irlandë dhe Portugali, që përjetuan majin e tyre më të nxehtë rekord.
Pjesë të mëdha të Evropës perëndimore, qendrore dhe lindore përjetuan kushte më të thata se mesatarja ndërsa në Turqi, Bullgari dhe Moldavi kishte përmbytje të gjerë.
VARIABLAT HIDROLOGJIK
Në maj 2026, pjesë të mëdha të Evropës perëndimore dhe qendrore dhe rajonet e Evropës lindore përjetuan kushte më të thata se mesatarja, pjesërisht të favorizuara nga kushtet e vazhdueshme të presionit të lartë dhe temperaturat ekstreme.
Rrjedhat e lumenjve ishin kryesisht më të ulëta se mesatarja në shumicën e rajoneve të thata.
Ndërkaq, në Kosovë, rrjedhat lumore sidomos ato në pellgun e Drinit të Bardhë dhe Lepenc, kanë rrjedha të qëndrueshme afër mesatares shumëvjeçare.
Në qëndrueshmërinë e tyre hidrologjike ka ndikuar shtresa e borës dhe shkrirja më e ngadaltë e sajë nga viset malore të Alpeve Shqiptare dhe Malit Sharrë, si pasojë e temperaturave relativisht të ulëta gjatë muajve të pranverës.
Situatë krejtësisht e kundërt është në pellgun e Ibrit dhe të Moravës së Binçës, të cilat aktualisht kanë rrjedha nën mesatare. /Telegrafi/


