Macron dhe Merz: BE-ja duhet të tregojë vullnet për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se liderët e Bashkimit Evropian ndodhen në Tivat për të mbështetur Malin e Zi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se është i gatshëm dhe i vendosur për zgjerim.
“Ne jemi të gjithë këtu për të mbështetur punën e Malit të Zi dhe të autoriteteve malazeze në mënyrë që vendi të bashkohet me Bashkimin Evropian”, tha presidenti francez.
Ai theksoi se liderët evropianë janë në krah të Malit të Zi dhe janë të gatshëm ta ndihmojnë atë që të integrohet sa më shpejt në familjen evropiane, shkruan vijesti.me.
“Arsyeja e ardhjes sonë është zgjerimi me anëtarin tonë të ri, Malin e Zi. Të gjithë jemi në anën e Malit të Zi për ta ndihmuar që të integrohet sa më shpejt. Procesi i integrimit do t’i bëjë rezultatet konkrete, do të ndihmojë përparimin e vendit tuaj dhe anëtarësimin në familjen tonë evropiane”, u shpreh Macron.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se zgjerimi evropian ka mbetur pas për vite me radhë dhe se me presidentin Macron ka diskutuar për hapat e ardhshëm të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është i gatshëm dhe i përkushtuar për zgjerim, dhe kjo do të jetë një nga temat e diskutimit tonë sot”, tha Merz.
“Ky rajon i Evropës i përket perspektivës evropiane. Nëse për 13 vjet nuk kemi pranuar asnjë vend të ri në BE, mund të themi se edhe Bashkimi Evropian ka bërë gabimet e veta”, shtoi kancelari gjerman.
Presidentja e Parlamenti Evropian, Roberta Metsola, deklaroi në Samitin BE–Ballkani Perëndimor se procesi i zgjerimit përbën një investim për të ardhmen dhe prosperitetin.
“Po përsëris fjalët që thashë dje në Parlamentin e Malit të Zi – zgjerimi është një investim në të ardhmen dhe prosperitetin”, tha ajo.
Metsola theksoi se Parlamenti Evropian e mbështet fuqishëm procesin e integrimit evropian.
“Ne në Parlamentin Evropian jemi mbështetës të mëdhenj të këtij procesi”, u shpreh ajo.
Sot, Tivati është qendra e Evropës. Për herë të parë në histori, Mali i Zi është mikpritës i liderëve më të lartë evropianë dhe rajonalë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor. /Telegrafi/


