“Luajmë ndaj piratëve uzurpues”, zyrtarja argjentinase shpërthen në ofendime ndaj Anglisë
Para gjysmëfinales së Kupës së Botës, zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel, ka injoruar këshillën e përzgjedhësit Lionel Scaloni për të mos përzier futbollin me politikën, duke rikthyer konfliktet e vjetra në një mesazh motivues që ka shkaktuar polemika.
Anglia dhe Argjentina kanë një rivalitet të gjatë dhe të pasur në historinë e Kupës së Botës.
Nga gjenialiteti i Diego Maradonës me golin e tij të famshëm pas një driblimi spektakolar dhe "Dorën e Zotit", te goli ikonik i Michael Owen në vitin 2002 dhe zemërimi i David Beckham pas kartonit të kuq, të dyja kombëtaret kanë përjetuar momente të dhimbshme në përballjet mes tyre.
Megjithatë, para ndeshjes, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, kërkoi që politika të lihej jashtë diskutimeve, një mesazh që nuk u mor parasysh nga zëvendëspresidentja Victoria Villarruel.
Përtej futbollit, rivaliteti mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës është përforcuar nga konfliktet politike, veçanërisht nga Lufta e Falklandeve në vitin 1982, e cila shkaktoi vdekjen e 649 ushtarëve argjentinas, 255 ushtarakëve britanikë dhe tre civilëve.
Mosmarrëveshjet politike vazhdojnë ende, pasi territori britanik i njohur si Ishujt Falkland, ose Malvinat sipas Argjentinës, mbetet objekt i një konflikti për sovranitetin.
Pavarësisht këshillës së Scalonit për të mos e kthyer ndeshjen në një përballje politike, zëvendëspresidentja Villarruel publikoi një mesazh kontrovers në rrjetet sociale.
Mañana jugamos contra los piratas usurpadores.
No es un partido más.
No voy a ser políticamente correcta ni pecho frío, contra los ingleses siempre es algo más. Es Malvinas, es el Diego, es la última de Leo y es pararle el carro a los invasores.
¡Aguante Argentina! Porque…
— Victoria Villarruel (@VickyVillarruel) July 15, 2026
"Nesër luajmë kundër piratëve uzurpues. Kjo nuk është thjesht një ndeshje tjetër. Nuk do të jem politikisht korrekte apo e ftohtë; kundër anglezëve, gjithmonë ka diçka më shumë”.
“Janë Malvinat, është Diego, është e fundit për Leon dhe është ndalimi i pushtuesve. Forca Argjentinë! Sepse deri në frymën tonë të fundit, do të kërkojmë atë që është e jona!”, ka shkruar ajo.
Mesazhi ka shkaktuar reagime të shumta, duke rikthyer edhe një herë tensionet historike përpara një prej përballjeve më të mëdha të futbollit botëror./Telegrafi/


