Please enter at least 3 characters.

Logopedia Mirgena Preniqi flet për vonesat në të folur, ekranet dhe rëndësinë e ndërhyrjes së hershme te fëmijët

Në episodin e 73-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, logopedia Mirgena Preniqi e cila foli për zhvillimin e të folurit tek fëmijët dhe të rriturit, ndikimin e teknologjisë dhe rëndësinë e trajtimit në kohë të çrregullimeve gjuhësore.

Preniqi shpjegoi se logopedia është një fushë e specializuar e shkencave shëndetësore terapeutike, që merret me parandalimin, identifikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të gjuhës, të folurit dhe komunikimit.

- YouTubewww.youtube.com

Sipas saj, ndër diagnozat më të shpeshta tek fëmijët janë vonesat gjuhësore, çrregullimet e artikulimit, disleksia dhe belbëzimi, ndërsa tek të rriturit hasen më shumë çrregullime neurologjike si afazia, dizartria dhe problemet e gëlltitjes.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte zhvillimi tipik i të folurit tek fëmijët dhe shenjat që duhet t’i alarmojnë prindërit.

“Çdo fëmijë deri në moshën dyvjeçare duhet të ketë minimumi pesëdhjetë fjalë”, tha Preniqi, duke shtuar se mungesa e komunikimit, mosinteresimi për bashkëbisedim dhe moskuptimi i udhëzimeve të thjeshta janë sinjale që kërkojnë vlerësim profesional.

Ajo theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme, duke potencuar se periudha nga lindja deri në moshën pesë apo gjashtë vjeçare është vendimtare për zhvillimin e trurit.

“Sa më herët që fillohet trajtimi, aq më shumë kemi gjasa që fëmija të ketë sukses në të ardhmen”, u shpreh ajo.

Preniqi po ashtu foli edhe për ndikimin e teknologjisë tek fëmijët.

Preniqi tha se ekranet nuk i ndihmojnë fëmijët të mësojnë të flasin, por shpesh ua marrin mundësinë për ndërveprim social dhe stimulim të trurit.

“Ekranet nuk i mësojnë fëmijët të flasin”, deklaroi ajo, duke iu referuar hulumtimeve të neurologjisë dhe pediatrisë që lidhin kohën e gjatë para ekranit me shtimin e vonesave gjuhësore.

Sipas saj, përdorimi i tepruar i telefonave, tabletëve dhe videove të shpejta ndikon negativisht edhe në përqendrim, durim dhe zhvillimin emocional të fëmijëve.

Ajo shtoi se shumë prej problemeve të sotme lidhen me mungesën e kohës kualitative mes prindërve dhe fëmijëve.

“Koha kualitative është leximi i librave, lojërat funksionale dhe përfshirja e fëmijëve në aktivitetet e përditshme”, tha Preniqi. /Telegrafi/


true