Please enter at least 3 characters.

Liverpooli ka gati ofertën prej 80 milionë eurosh për yllin e Ligës Premier

Klubi i madh anglez, Liverpooli thuhet se është i gatshëm të investojë brenda kampionatin vendor për t’u përforcuar me një qendërmbrojtës të ri, duke synuar që lëvizja e tij të jetë e ngjashme me atë të Virgil Van Dijk para disa vitesh.

Sipas gazetarit të futbollit Sebastien Vidal, Liverpooli po shqyrton një ofertë prej 69 milionë funtesh apo 80 milionë eurosh për qendërmbrojtësin Murillo, i cili vlerësohet shumë nga të gjithë për nivelin e treguar.

Ndërkohë, thuhet se Manchester United po e monitoron nga afër situatën e 23-vjeçarit te Nottingham Forest dhe mund të hyjë në garë për transferimin e tij.

Murillo u bashkua me Nottingham Forest përpara sezonit 2023/24 të Ligës Premier dhe pati një sezon të shkëlqyer, duke fituar çmimin e Lojtarit të Sezonit të klubit për performancat e tij në zemër të mbrojtjes.

Kontrata e tij me Forestin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2029, duke i dhënë klubit një avantazh të fortë në çdo negociatë të mundshme transferimi.

Këtë sezon, mbrojtësi është paraqitur në 30 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar me dy gola, ndërsa vazhdon të tërheqë interesin e klubeve kryesore të Anglisë. /Telegrafi/