Please enter at least 3 characters.

Lëvizja BESA thirrje shqiptarëve në marsh proteste më 13 qershor në Shkup

2016/01/l-euml-vizja-besa-thirrje-shqiptar-euml-ve-n-euml-marsh-proteste-m-euml-13-qershor-n-euml-shkup_hd.jpg

Marshi do të niset nga lagja e Çairit dhe do vazhdojë deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ku do të lexohen mesazhet e protestës.

Kryetari i Këshillit Koordinues së Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, shpjegoi se marshi do të ketë karakter gjithëshqiptar dhe se Lëvizja BESA vetëm e inicon atë.

”Për këtë arsye marshi nuk do të ketë emblemën e Lëvizjes BESA. Madje, edhe motoja qendrore e këtij marshi është lënë të vendoset me konsensus të të gjithë organizatorëve”, tha Kasami.

Lëvizja BESA u bën thirrje publike subjekteve politike shqiptare, Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe Lëvizjes për Reforma në PDSH, si dhe organizatave joqeveritare, intelektualëve, artistëve, gazetarëve, dhe personaliteteve të tjera shqiptare që ta formojnë bashkërisht n jë këshill për organizimin e marshit protestues.

Kasami i paraqiti 18 pikat e deklaratës me të cilën kërkojnë:

- dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Gruevski & Ahmeti, sepse kjo qeveri e ka partizuar shtetin, i ka keqpërdorur institucionet, ka dështuar në rrugën e integrimit dhe në thelb është antishqiptare;

- hetimin dhe ndëshkimin e të gjitha krimeve të politikanëve të inkriminuar;

- që Zaev t’i publikojë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me të vërtetat shqiptare, e veçmas ato që kanë të bëjnë rastet e montuara, siç është “Monstra” – ndryshe do ta konsiderojmë pjesëmarrës në fshehjen e krimeve;

- Do të deklarojmë se pas publikimeve të përgjimeve, si dhe pas dështimit në mbrojtjen e ndonjë agjende shqiptare, BDI dhe PDSH nuk janë më përfaqësuese të shqiptarëve të Maqedonisë dhe ato nuk kanë të drejtë të vendosin për shqiptarët në asnjë negociatë të mundshme;

- lirimin e të burgosurve të rasteve të montuara “Monstra”, “Sopot” dhe “Brodec”;

- zbardhjen e vrasjes së Harun Aliut dhe shokëve të tij;

- ndriçimin e plotë të rastit të Lagjes së Trimave në Kumanovë, përgjegjësinë e autorëve dhe organizatorëve të atij skenari dhe zgjidhjen urgjente të dëmtimeve të vendbanimeve shqiptare të shkatërruara padrejtësisht;

- dorëheqjen e zv. kryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse 11 vjet pas skadimit të afatit për realizimin e asaj marrëveshjeje nuk ka më asnjë kuptim të flitet për implementim të saj;

- dorëheqjen e zv. kryeministrit për Integrime Evropiane, sepse Maqedonia tashmë është prapakthyer nga agjenda euro-integruese;

- dorëheqjen e minis trit të Drejtësisë dhe të Prokurorit Publik, për shkak të drejtësisë së partizuar dhe antishqiptare në Maqedoni;

- dorëheqjen e ministrit të Mjedisit Jetësor për shkak të dështimit në zgjidhjen e çështjes së ajrit të ndotur në Tetovë;

- dorëheqjen e ministrit të Arsimit për skandalet e shumta në arsim, si ai i fundit i racizmit ndaj shqiptarëve;

- dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë, sepse vendbanimet shqiptare në Maqedoni vazhdojnë të jenë zonat më të varfra në vend dhe, rrjedhimisht, emigrimi vazhdon të jetë marramendës;

- dorëheqjen e zv. ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të skenarit të Kumanovës;

- dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për shkak të qasjes së tij raciste ndaj shqiptarëve;

- zyrtarizmin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë;

- ndarjen e drejtë të bux hetit të Republikës së Maqedonisë;

- marrëveshje të re për RIDEFINIMIN e Maqedonisë si shtet i përbashkët konsensual i shqiptarëve dhe maqedonasve.

Lëvizja Besa është subjekti më i ri politik i i shqiptarëve të Maqedonisë, e formuar nga fundi i vitit të kaluar dhe ka orientim opozitar ndaj dy partive më të mëdha – BDI-së së Ali Ahmetit dhe PDSH-së së Menduh Thaçit. Pas disa komunikatave, me të cilat ka reaguar ndaj ngjarjeve aktuale në Maqedoni, organizimi i promovuar sot paraqet aktivitetin e saj të parë më konkret në publik./KP/