Legjenda e Spartak Moskës mirëpret transferimin e Mirlind Dakut: Do të jetë ndihmë e madhe
Legjenda e Spartak Moskës, Valeriy Kechinov, ka dhënë një vlerësim pozitiv për transferimin e sulmuesit shqiptar Mirlind Daku, duke shprehur bindjen se reprezentuesi i Kosovës mund të ketë ndikim të madh te skuadra ruse.
Në një intervistë për Match TV, ish-futbollisti i Spartakut e ka cilësuar transferimin e Dakut si një përforcim që zgjidhte një prej nevojave kryesore të ekipit në repartin ofensiv.
“E kam thënë tashmë se na duhej të forconim pozicionin e qendërsulmuesit. Blerja e Dakut e zgjidhi këtë problem. Jam i sigurt se Mirlindi do të jetë një ndihmë e madhe për Spartakun”, deklaroi Kechinov.
Daku iu bashkua Spartak Moskës më 6 gusht, duke u transferuar nga Rubin Kazani për rreth 11 milionë euro.
Kechinov nuk ka dashur të parashikojë një numër të saktë golash për sulmuesin kosovar, por pret që statistikat e tij te klubi i ri të jenë dukshëm më të mira.
“Është e vështirë të thuhet saktësisht se sa gola do të shënojë. Por te Spartaku jam i sigurt se duhet të shënojë shumë më tepër sesa shënoi te Rubin Kazani”, shtoi ish-sulmuesi.
Kechinov, tash 52-vjeçar, është një prej emrave të njohur të historisë së Spartak Moskës.
Ai e veshi fanellën e klubit nga viti 1994 deri më 2001, duke u shndërruar në një prej figurave të rëndësishme të skuadrës gjatë asaj periudhe./Telegrafi/


