LDK në Mitrovicë del nga koalicioni qeverisës me LVV-në, Plakolli tregon arsyet
Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka bërë të ditur se LDK-ja ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës në këtë komunë, për shkak të, siç thuhet, mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje nga kryetari i komunës.
Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetin social Facebook, Plakolli ka theksuar se vendimi është marrë pas shpërfilljes së vazhdueshme të propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së në Mitrovicë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës”, thuhet në deklaratë.
Sipas Plakollit, shkak kryesor për këtë vendim është emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili, sipas tij, është bërë pa konsultim dhe në kundërshtim me dakordimet e mëhershme.
“Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë”, ka deklaruar Plakolli.
Ai ka sqaruar se ky emërim nuk përfaqëson qëndrimin e LDK-së dhe as të Degës së saj në Mitrovicë. “Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë”, theksohet më tej.
Në fund të deklaratës, Plakolli ka bërë të ditur se vendimi për dalje nga koalicioni është i detyrueshëm për të gjithë përfaqësuesit e partisë në nivel lokal. “Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se Peci i kishte ofruar LDK-së Kryesuesin e Kuvendit dhe dy drejtori, derisa kishin mosmarrëveshje në emërimin e njërit nga drejtorët - gjë që shkaktoi prishje të koalicionit. /Telegrafi/


