Lavrov: Nuk e kemi mbështetur Assad
Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov u ka thënë gazetarëve se vendi i tij nuk do të mbajë asnjë anë në konfliktin sirian, e madje kritikoi vendet e tjera që sipas tij, kanë shtrembëruar politikat e Rusisë.
“Nuk e kemi admiruar ndonjëherë regjimin sirian, e nuk e kemi mbështetur kurrë. Të gjitha veprimet tona që kanë për qëllim përmbushjen e marrëveshjes së Gjenevës lidhur me formimin e një organizmi të përkohshëm qeverisës vetëm konfirmojnë vullnetin tonë për stabilizimin e situatës dhe krijimin e kushteve që sirianët të vendosin vetë për fatin e tyre - shtetin e tyre, udhëheqjen e tyre”, tha Lavrov, transmeton TCH.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi kryeministri rus Dmitry Medvedev, tha se Assad bëri një gabim fatal duke vonuar reformat demokratike të kërkuara nga opozita e Sirisë.
Rusia ka qenë një furnizues i vjetër i armëve për familjen Assad në pushtet dhe ka vënë veton në Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të kishin dënuar Sirinë për shtypjen e rebelimit që filloi si një kryengritje paqësore pro-demokracisë. /Telegrafi/


