Please enter at least 3 characters.

Kush janë fytyrat e reja në Kuvendin e Kosovës

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të ardhura përmes postës.

Deri të dielën, më 14 qershor 2026, në orën 12:30, janë numëruar 39 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pasi janë aprovuar paraprakisht nga shërbimi votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Teksa kanë mbetur edhe rreth 150 kuti për t’u numëruar, situata sa i përket listave të deputetëve po shkon drejt qartësimit. Në legjislaturën e re pritet të ketë një numër të konsiderueshëm deputetësh të rinj, me pjesën më të madhe që do të vijnë nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Telegrafi.

Ish-imami i Drenasit, Osman Musliu, tashmë e ka siguruar mandatin e deputetit, me rreth 30 mijë vota të fituara.

Për herë të parë në ulëset e Kuvendit pritet të ulet edhe Arton Konushevci, vëllai i dëshmorit Ilir Konushevci, i cili ka marrë mbi 27 mijë vota.

Mandatin e deputetit nga lista e LVV-së pritet ta sigurojnë edhe aktori Armend Baloku dhe aktivistja Krenare Çerkini, të cilët kanë marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu, Valon Peci, vëllai i ministrit në detyrë Faton Peci, pritet të jetë një nga fytyrat e reja të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Njëri nga luftëtarët e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëveprimtar i Adem Jasharit, Jakup Nura, do të rikthehet në Kuvend pas mandatit disamujor që kishte ushtruar në vitin 2025. Me mbi 21 mijë vota, ai tashmë e ka të sigurt mandatin e deputetit.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Paris Guri pritet të rikthehet në Kuvend, pas mandatit të shkurtër që kishte ushtruar në vitin 2025.

Ndërkohë, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës priten rikthime në Kuvend, pasi Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj kanë paralajmëruar se do të heqin dorë nga mandatet e deputetit./Telegrafi/

true