Kurti: Sivjet do të prodhojmë më shumë grurë sesa konsumojmë, buka do të sigurohet nga toka jonë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se këtë vit vendi pritet të ketë një sezon të suksesshëm të korrje-shirjeve, duke theksuar se prodhimi i grurit do ta tejkalojë konsumin, çka sipas tij do të sigurojë më shumë bukë nga prodhimi vendor.
Këto komente ai i bëri gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e 9-të Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ku tha se kishte vizituar fermerin Malsor Sejdiu në Shtedim të Podujevës, në kuadër të fushatës së korrje-shirjeve.
“Sivjet do të kemi mesatarisht nga 4 deri në 5 tonë grurë për hektar, ndërsa në disa parcela rendimenti arrin deri në 6 tonë për hektar. Do të jetë një vit në të cilin prodhimtaria do ta tejkalojë konsumin, në mënyrë që të kemi sa më shumë bukë në sofrën tonë nga toka jonë”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se, krahasuar me pesë vjet më parë, numri i fermerëve që mbjellin grurë është katërfishuar, ndërsa buxheti i ndarë nga Qeveria për këtë sektor është shtatëfishuar.
Në fjalimin para delegatëve të BSPK-së, Kurti foli edhe për masat që, sipas tij, janë ndërmarrë për përmirësimin e pozitës së punëtorëve. Ai theksoi se paga minimale është rritur në 500 euro bruto nga 1 korriku, duke vlerësuar se nga kjo përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Po ashtu, ai përmendi fuqizimin e Inspektoratit të Punës me rekrutimin e 39 inspektorëve të rinj, programet aktive të punësimit, si dhe mbështetjen për familjet përmes shtesave për fëmijë, lehonat dhe rritjes së pensioneve bazike.
Sipas Kurtit, synimi i Qeverisë mbetet forcimi i të drejtave të punëtorëve, rritja e standardeve të punës dhe ndërtimi i një ekonomie që, siç u shpreh ai, “funksionon për qytetarin”./Telegrafi/


