Kurti: Shqetësuese shifrat e ASK-së, në Kosovë jetohet keq
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ndërsa sipas tij në Kosovë jetohet keq.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim.
Lexoni të plotë postimin e Kurtit:
Në Kosovë jetohet keq. Janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018. E gjendja mund të jetë veçse e përkeqësuar që prej atëherë.- Për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim;- Më shumë se çdo e pesta familje ka probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa, kornizat e dritareve dhe dysheme të kalbur;- 69.5% nuk mund ta përballojnë një javë pushimi larg shtëpisë;- 61.3% nuk mund ta përballojnë shujtën me mish, pulë dhe peshk çdo të dytën ditë;- 47.3% nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro;- 35.4% nuk kanë kompjuter;- 40.2% nuk janë në gjendje të përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në mënyrë adekuate;- 61.3% e kanë barrë të rëndë kthimin e kredisë;- 78.3% kanë vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale;- Më shumë se çdo e pesta familje në zonat urbane ka probleme me ndotje, papastërti dhe probleme të tjera mjedisore si: tymi, pluhuri, erëra të pakëndshme ose ujë të ndotur.Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët. Qeveria sot është kot.Kemi mungesë të rrjetës sociale që siguron familjet në nevojë dhe kemi tepri të pandemisë që ka dalur nga kontrolli institucional.Nevojitet model i ri ekonomik i përqendruar te punësimi dhe mjedisi e i mbrojtur nga drejtësia dhe qeverisja e mirë. Pas zgjedhjeve të reja, nis zgjidhja e këtillë. Mbase zgjedhjet po orvaten t’i vonojnë ca, pikërisht pse të gjitha subjektet ua dinë rezultatin atyre”. /Telegrafi/


