Kurti: Eksporti i shërbimeve të TIK-ut është rritur për 386% në katër vitet e fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është sektori me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit.
Sipas Kurtit, eksporti i shërbimeve të TIK-ut është rritur për 386% gjatë katër viteve të fundit, duke u rritur pothuajse pesëfish, çka dëshmon potencialin e këtij sektori për t’u shndërruar në motor kyç të rritjes së mëtejshme ekonomike.
Ai theksoi se sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, kontribuon me rreth 6% në Bruto Produktin Vendor (BPV) të Kosovës.
Po ashtu, Kurti nënvizoi se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke nxitur hapjen e vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.
"Andaj, mbështetja ndaj këtij sektori mbetet prioritet i qartë i Qeverisë sonë edhe në mandatin e ardhshëm, veçanërisht përmes Fondit të Inovacionit, si dhe Kullës TIK (ICT Tower), ka deklaruar Kurti.
Këto deklarata Kurti i bëri gjatë vizitës së tij në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK), ku u prezantua edhe Pasqyra e Ekonomisë Digjitale, e përgatitur nga platforma Data4X./Telegrafi/


