Kupa e Kombeve të Afrikës fillon sot, si asnjëherë më parë ka një favorit absolut për ta fituar trofeun
Tifozët e ekzotizmit në futboll, rezultateve të papritura dhe gjithçkaje që e bën futbollin afrikan kaq të veçantë kanë arsye për të festuar sot, pasi nis zyrtarisht Kupa e Kombeve Afrikane, turneu më i madh kontinental i futbollit në Afrikë, që këtë herë zhvillohet në Marok.
Ndonëse Kupa e Kombeve Afrikane nuk konsiderohet gjithmonë si gara më cilësore kontinentale, ajo mbetet unike për shkak të emocioneve të jashtëzakonshme, surprizave të shpeshta, rezultateve të pabesueshme dhe atmosferës elektrizuese. Pikërisht këta elementë e bëjnë këtë turne jashtëzakonisht tërheqës për tifozët, pasi në Afrikë askush nuk mund ta parashikojë me siguri se kush do të ngrejë trofeun.
Yjet më të mëdhenj afrikanë kanë lënë klubet e tyre dhe janë bashkuar me ekipet kombëtare për të luftuar për fronin e futbollit afrikan. Turneu zhvillohet në Marok, dhe pavarësisht se surprizat janë gjithmonë pjesë e këtij kompeticioni, këtë herë ekziston një favorit i fortë si rrallëherë më parë.
Bëhet fjalë për kombëtaren e Marokut, organizatoren e turneut dhe aktualisht forcën më dominuese të futbollit afrikan. Një dominim i tillë nuk është parë në këtë kontinent prej shumë vitesh. Marokenët janë gjysmëfinalistë të Kupës së Botës dhe gjithçka përveç fitimit të titullit do të konsiderohej një befasi e madhe.
Maroku e hap sot garën, duke nisur rrugëtimin drejt trofeut me një ndeshje në shtëpi ndaj Komoreve, që zhvillohet nga ora 20:00.
Kombëtarja marokene udhëhiqet nga emra të mëdhenj të futbollit evropian, si Brahim Diaz i Real Madridit, Achraf Hakimi i PSG-së, Noussair Mazraoui i Manchester United, Youssef En-Nesyri i Fenerbahçes, Bilal El Khannouss i Stuttgartit, si dhe shumë futbollistë të tjerë me përvojë ndërkombëtare.
Pas Marokut, grupi i dytë i favoritëve përfshin përfaqësuese tradicionale dhe të fuqishme si Senegali, Egjipti, Algjeria, Nigeria dhe Bregu i Fildishtë. Ndërkohë, Republika Demokratike e Kongos, Afrika e Jugut, Kameruni dhe Tunizia cilësohen si “mina me sahat”, skuadra të afta për të befasuar këdo.
Në total, 24 kombëtare nga Afrika janë kualifikuar në turne dhe janë ndarë në gjashtë grupe me nga katër ekipe. Dy skuadrat e para nga secili grup, si dhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë, do të avancojnë në fazën eliminatore. /Telegrafi/
Grupet e Kupës së Kombeve Afrikane:
Grupi A: Maroku, Mali, Zambia, Komoret
Grupi B: Afrika e Jugut, Zimbabve, Egjipti, Angola
Grupi C: Tanzania, Nigeria, Tunizia, Uganda
Grupi D: Senegali, Botsvana, Republika Demokratike e Kongos, Benini
Grupi E: Algjeria, Guinea Ekuatoriale, Burkina Faso, Sudani
Grupi F: Kameruni, Gaboni, Mozambiku, Bregu i Fildishtë


