KTHIMI I MERGIMTARIT
Giorgos Seferis (1900-1971)
Poezi nga: Giorgos Seferis
Përktheu: Kolec P. Traboini
"Mik i vjetër, çfarë po kërkon?
Pas shumë vitesh jashtë atdheut ti vjen Me imazhe që i ke ruajtur në kujtime
Nën qiej të huaj,
Larg tokës tënde."
"Po kërkoj kopshtin tim të vjetër;
Pemët më vijnë vetëm deri në bel,
Kodrat duken të ulëta si tarraca; Megjithatë, kur isha fëmijë
Luaja atje mbi bar, nën hije të mëdha,
Ku vrapoja orë të tëra, sa më zihej fryma.
"Miku im i vjetër, pusho pak.
Së shpejti do të mësohesh me këto.
Bashkë do të ngjitemi
Në shtigjet e kodrave që ti njeh;
Së bashku do të ulemi e pushojmë,
Nën hije kurorës së rrapëve;
Pak nga pak do të kthehen tek ti,
Kopshti yt dhe shpatet e tua."
"Kërkoj shtëpinë time të vjetër,
Shtëpinë me dritaret të larta
Të errësuara nga dredhka
Dhe atë kolonën e lashtë
Pikë referuese e marinarit.
Si mund të hyj në këtë kasolle?
Çatia është poshtë shpatullave të mia. Dhe sado larg që shikoj,
Shoh burra në gjunjë;
Mos do t'më thuash se po luten."
"Miku im i vjetër, a nuk më dëgjon?
Me kohë do të mësohesh.
Ja ku është shtëpia jote përpara teje,
Së shpejti në këtë derë do të trokasin Miqtë dhe të afërmit e tu
Me një mirëseardhje të mrekullueshme."
"Pse është zëri yt kaq i larg?
Ngreje kokën pak më lart
Që të mund të kuptoj fjalët që thua,
Sepse ndërsa flet
Më duket se shkurtohesh
Gjithnjë e shumë e më shumë,
sikur të jesh duke u fundosur në tokë."
"Miku im i vjetër, mendo pak.
Së shpejti do të mësohesh edhe me këtë;
Malli yt për shtëpinë ka ndërtuar për ty një vend të paqenë me ligje
jashtë tokës dhe njeriut."
"Tani nuk dëgjoj më asgjë - asnjë zë.
Miku im i fundit është fundosur, zhdukur.
Sa e çuditshme është kjo rrafshinë.
Të gjithë përreth herë pas here:
kalojnë dhe vendosen këtu.
Mijëra qerre me kosa"


